Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) shpalli fituesit e Edicionit të dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels: WANDERLUST IN ALBANIA 2: Photo and Reels International Competition. Ky konkurs ka për qëllim promovimin e bukurive natyrore dhe kulturore të Shqipërisë përmes fotografisë dhe videove të shkurtra, që janë një formë gjithnjë e më e preferuar për të treguar historitë vizuale në platforma të ndryshme sociale.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në një Mbrëmje Gala të mbajtur në Pallatin e Brigadave, një ambient që u përshtat perfekt me prestigjin dhe rëndësinë e këtij eventi.
Fituesit u nderuan për krijimet e tyre që kapën bukurinë natyrore, kulturën dhe traditat e Shqipërisë, duke shfaqur atraksione turistike që ngjallin kuriozitet dhe interes për të vizituar vendin.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela e përshkroi konkursin si një udhëtim magjepsës, i rrëfyer nga vetë vizitorët, tregimtarët më autentikë të Shqipërisë.
“Sonte dhe në vazhdim ne do të nisim një tregim të pafiltruar dhe të dokumentuar vizualisht të Shqipërisë tonë turistike. Sigurisht mbrëmja e sotme nuk është vetëm një mbrëmje ndarjesh çmimesh, por edhe një celebrim i fuqisë së turizmit për të ngritur ura, për të afruar kulturat dhe për të treguar historinë e Shqipërisë turistike me metodat e reja të epokës digjitale” u shpreh Çela.
Gjatë ceremonisë u shpallën 33 fitues të përzgjedhur nga juria e kryesuar nga fotografi i mirënjohur Albes Fusha, 3 fitues të publikut të përzgjedhur në nga votimi në faqen zyrtare Visit Albania në facebook, si edhe 4 ambasadorë të promovimit të turizmit shqiptar.
Konkursi ka tërhequr pjesëmarrës nga e gjithë bota, duke u dhënë mundësinë krijuesve të shprehin kreativitetin e tyre dhe të dokumentojnë Shqipërinë nga këndvështrime të ndryshme, nga pamjet e mahnitshme të peizazheve natyrore deri te momentet e përditshme të jetës dhe kulturës shqiptare.
Pjesëmarrësit në konkurs kanë ngarkuar 5504 materiale në websitin zyrtar të konkursit www.wanderlustinalbania.al në 11 kategori si në vijim:
- Peisazhe (natyrore, malore, bregdetare)
- Foto panoramike (qytetet e Shqipërisë, fshatrat turistike)
- Monumente & Site arkeologjike (Monumente kulture, Kala, Amfiteatër, Muze dhe site UNESCO)
- Folklor (etnografi, valle, ritual, traditë)
- Artizanati & Zejtaria
- Agroturizëm & Kulinari (ushqime tradicionale, bujtina, agroturizëm)
- Eventet e aplikacionit TEA (festivale, festa lokale, koncerte, evente artistike, ekspozita etj)
- Ekoturizmi & Turizmi sportiv (flora & fauna, shtigje, parqe, hiking, zhytje, alpinizëm, kajak, parashutizëm etj)
- Arkitekturë (xhami, kisha, arkitekturë mesjetare dhe e re urbane)
- Foto-reportazh (foto lajm, që rrëfen ngjarje nga jeta)
- Animacion 3D (CGI)
Pjesëmarrësit, fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) janë nga Shqipëria si dhe nga 36 vende të botës, duke e bërë këtë edicion me ndikim të madh në promovimin e turizmit dhe kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Mbrëmja e moderuar nga Enxhi Nasufi dhe me pjesëmarrjen e personaliteteve, u mbyll nën tingujt e muzikës shqiptare mes emocioneve që përcollën këngëtarja Kamela Islamaj dhe Ritual the Band.