ITB Berlin, takime me homologë të Agjencive Kombëtare të Turizmit

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela gjatë ditëve Panairit ITB Berlin, u takua me homologët ballkanas, me të cilët u shkëmbyen eksperienca dhe u diskutua për mundësi bashkëpunimi.
Në takimin me Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Serbisë, Marija Labovic, u diskutua për mënyrat e promovimit, fushatat e Marketingut, avantazhet e anëtarësimit në ETC si dhe për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit mes dy agjencive dhe mundësinë e krijimit të fushatave të përbashkëta të marketingut.
Drejtoresha Çela u takua edhe me Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Sllovenisë, Maja Pak, me të cilën folën rreth produkteve kryesore të turizmit të Sllovenisë, skemës së çertifikimeve në turizëm dhe zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit rural, rëndësinë e rritjes së netëqëndrimeve në Slloveni si dhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi.
Një tjetër takim zhvilloi edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Kroacisë, Kristjan Stanicic, me të cilin u shkëmbyen përvoja për organizimin dhe fokusin kryesor të Agjencive, fushatave digjitale, tregjet kryesore turistike si dhe u dakordësua për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së bisedoi edhe me Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Jasmina Leskarovska, me të cilën diskutoi për promovimin e produkteve të përbashkëta turistike si dhe për një marrëveshje bashkëpunimin.
Gjatë një takimi me homologen e Malit të Zi, Ana Tripkovic Markovic u diskutua për rëndësinë e anëtarësimit të vendeve tona në ETC dhe memorandumin e bashkëpunimit mes dy agjencive të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Në takimin me Drejtoreshën e Agjencisë së Turizmit në Rumani, Ioana Ciutre Podosu, ajo tregoi për mënyrën e organizimit të Agjencisë që drejton si dhe u disktua për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit mes dy agjencive tona.

Shpërndaje në: