Shqipëria dhe India drejt partneriteteve të reja për promovimin e turizmit

Shqipëria dhe India po synojnë të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi në sektorin e turizmit, duke vënë në fokus promovimin e ndërsjellë të destinacioneve dhe forcimin e lidhjeve institucionale mes dy vendeve.Në këtë kuadër, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT), Jola Hysaj, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Indisë në Shqipëri, z. Ravindra Prasad Jaiswal.

Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit turistik, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e kontakteve me institucionet homologe në Indi.Një rëndësi e veçantë iu kushtua promovimit të ndërsjellë të ofertës turistike, me synimin për të rritur njohjen e Shqipërisë si destinacion turistik në tregun indian dhe për të nxitur interesin për shkëmbime turistike mes dy vendeve.

Takimi përfaqëson një mundësi për të identifikuar iniciativa të përbashkëta dhe për të zhvilluar më tej marrëdhëniet Shqipëri-Indi në fushën e turizmit, duke hapur perspektiva të reja për bashkëpunim dhe promovim ndërkombëtar.

Facebook
LinkedIn
Email
X