Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Dhoma Ekonomike e Gruas në Shqipëri kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik, duke vendosur në fokus fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e rolit të grave sipërmarrëse në sektorin e turizmit.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Jola Hysaj, dhe themeluesja dhe drejtuesja e Dhomës Ekonomike të Gruas në Shqipëri, znj. Antonela Hako.
Ky partneritet synon të rrisë vizibilitetin dhe konkurrueshmërinë e grave sipërmarrëse shqiptare, të nxisë inovacionin dhe digjitalizimin, si dhe të promovojë kontributin e tyre në fusha të ndryshme të turizmit, si mikpritja, agroturizmi, gastronomia, artizanati, guidat turistike, produktet lokale dhe eksperiencat turistike.
Përmes këtij bashkëpunimi, palët angazhohen të kontribuojnë në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe në forcimin e rolit të grave sipërmarrëse në zhvillimin e ekonomisë turistike.
