Shqipëria dhe Uzbekistani forcojnë bashkëpunimin në turizëm

Promovimi i ndërsjellë i destinacioneve turistike dhe rritja e shkëmbimeve mes Shqipërisë dhe Uzbekistanit ishin në fokus të takimeve të zhvilluara në Tashkent nga delegacioni shqiptar.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT), Jola Hysaj, së bashku me Manjola Kason nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve dhe operatorëve turistikë në Uzbekistan.

Gjatë vizitës në Komitetin e Turizmit të Uzbekistanit, delegacioni shqiptar u prit nga kryetari Abdulaziz Akkulov dhe drejtori i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Tokhir Shamsimatov. Diskutimet u përqendruan në mundësitë për forcimin e marrëdhënieve turistike dhe promovimin e ndërsjellë të dy vendeve.

Në kuadër të vizitës, u zhvilluan gjithashtu takime me Zaeem Syed, përfaqësues i CATS – Central Asian Tourism Service, si dhe me Timur Idhmuhametov, themelues dhe drejtues i SANAT Travel Experts – Central Asia DMC.

Bisedimet kishin si synim zgjerimin e bashkëpunimit me operatorët turistikë të Azisë Qendrore, krijimin e partneriteteve të reja dhe rritjen e interesit për Shqipërinë si destinacion turistik në tregun uzbek.

Takimet në Tashkent përbëjnë një tjetër hap drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zgjerimit të pranisë së Shqipërisë në tregjet turistike të Azisë Qendrore.

Facebook
LinkedIn
Email
X