Shqipëria dhe Kazakistani synojnë forcimin e bashkëpunimit turistik dhe lidhjeve ajrore

Zgjerimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kazakistanit në fushën e turizmit dhe aviacionit ishte në qendër të takimit të zhvilluar me përfaqësues të kompanisë ajrore Air Astana.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, së bashku me Manjola Kason, Drejtoreshë e Zhvillimit të Aviacionit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, diskutuan mbi mundësitë për të nxitur shkëmbimet turistike dhe për të krijuar ura të reja lidhëse mes dy vendeve.

Gjatë takimit u trajtuan potencialet për promovimin e Shqipërisë në tregun kazak, si dhe rëndësia e zhvillimit të lidhjeve ajrore në lehtësimin e udhëtimeve dhe rritjen e flukseve turistike.

Bashkëpunimi me Air Astana shihet si një mundësi për të zgjeruar aksesin e Shqipërisë në tregjet e Azisë Qendrore dhe për të tërhequr më shumë vizitorë nga ky rajon.

Nisma synon të krijojë mundësi të reja partneriteti dhe të kontribuojë në ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të turizmit shqiptar.

Facebook
LinkedIn
Email
X