Vjosa – Mbretëresha e lumenjve në UNESCO, Kumbaro: Dosja gati brenda 2024

Sapo ka nisur puna për përfshirjen e Vjosës, Mbretëreshës së lumenjve të egër europianë  në listën e pasurive botërore të mbrojtura nga UNESCO, përmes programit “Njeriu dhe Biosfera”.

Ishte Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila njoftoi lajmin pas një takimi me delegacionin e UNESCO-s, në Tiranë, i cili do të ndjekë përgatitjen e dosjes së aplikimit.

“E lumtur të prisja në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit ekipin e UNESCO-s, me të cilët nisim punën për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore përmes programit “Njeriu dhe Biosfera”. Është ky program global që synon të krijojë një bazë shkencore për të përmirësuar marrëdhëniet midis njerëzve dhe natyrës ku jetojnë, për zhvillimin e qëndrueshëm që mbron mjedisin. Na pret një punë intensive në përgatitjen e dosjes së aplikimit, që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura do të dorëzojnë në UNESCO brenda këtij viti, për t’i dhënë një tjetër pasaportë ndërkombëtare mbretëreshës së lumenjve europiane e për të shtuar një tjetër xhevahir shqiptar në listën e UNESCO”, u shpreh zonja Kumbaro. 

Lumi Vjosa u shpall Park Kombëtar në mars të vitit 2023. Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay vizitoi Vjosën me ftesë të Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, me qëllim përfshirjen e saj në listën e siteve të mbrojtura nga UNESCO, duke e vlerësuar si një prej lumenjve të fundit të egër në Europë dhe i pari Park Kombëtar i një lumi të paprekur.

Përgatitja e aplikimit është një proces i gjatë sipas standardeve të Organizatës Botërore të Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, dhe Shqipëria do të asistohet nga ekipi i programit “Man and Biosphere”.

Shpërndaje në: