Shqipëria turistike në objektivin e gjigandëve mediatikë botërorë

Bukuritë e Shqipërisë, që nga majat e Alpeve të thepisura, brigjet magjepsëse të rivierës shqiptare dhe të Adriatikut, sitet e trashëgimisë UNESCO, monumentet e trashëgimisë kulturore dhe ata natyrorë, parqet kombëtare, mbretëresha e lumenjve të egër të Europës, plazhet e kaltra e të kristalta, fshatrat e bukur turistikë nga veriu në jug, lindje e perëndim të vendit, kulinaria dhe prodhimet tradicionale shqiptare tërhoqën vëmendjen e dhjetëra mediave prestigjoze gjatë këtij viti, i cili shënoi një bum turistik për Shqipërinë.

Fluksi turistik deri në muajin shtator, sipas statistikave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, shënoi plot 8,3 milionë vizitorë të huaj, të cilët e vizituan Shqipërinë duke e bërë vendin tonë një destinacion të hartës turistike europiane dhe botërore.

Gjigandët mediatikë amerikanë, britanikë, francezë, gjermanë, italianë, spanjollë e turk e media të tjera të njohura europiane realizuan rreth 50 shkrime dhe reportazhe për Shqipërinë turistike duke e promovuar si një nga thesaret ende të panjohur të Europës, dhe një nga magjitë e rajonit të Ballkanit dhe Europës Juglindore.

Shpërndaje në: