Shqipëria Turistike, 9 milion turistë deri në vjeshtë

Trendi i flukseve të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë vijon të shënojë rritje, teksa të dhënat më të fundit nga statistikat e INSTAT dhe MTM-së tregojnë se 9 milionë turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë nga fillimi i vitit deri në muajin tetor.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi se ky trend tejkalon me 32% shifrat e vitit 2022, i cili është viti rekord i hyrjeve të vizitorëve të huaj në Shqipërio.

Sipas statistikave vetëm në muajin tetor 691 mijë turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë, ose 89% më shumë krahasuar me tetorin e vitit të shkuar.

Gjatë aktivitetit të mbajtur për përmbledhjen dhe arritjet e sezonit turistik të vitit, ministrja Kumbaro nënvizoi se rezervimet kanë arritur në 70-80% të kapaciteteve hoteliere.

Sipas zonjës Kumbaro përtej magjisë së bregdetit edhe Tirana është kthyer në një destiancion të mirëfilltë turistik.

Në publikimin e fundit të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) të barometrit të turizmit botëror, Shqipëria renditet në vendin e tretë në botë  dhe të parin në Evropë për rritjen e  flukseve të vizitorëve të huaj (+56%) për muajt janar – korrik 2023.

Edhe gjiganti i udhëtimeve “National Geographic” e ka renditur Shqipërinë ndër vendet 30 vendetmë interesantë të botës, të cilët duhen vizituar në vitin 2024.

Shpërndaje në: