Hapet Panairi “Tourism & Travel Show Albania 2024”

Me kryefjalë jehonën e turizmit të qëndrueshëm, në Pallatin e Kongreseve u çel të mërkurën Panairi “Tourism & Travel Show Albania 2024”, i cili ka mbledhur në Tiranë, 100 ekspozues dhe 30 biznese ndërkombëtare, për t’u njohur me produktin turistik rajonal dhe atë shqiptar.

E pranishme në ceremoninë e hapjes, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro theksoi se Shqipëria është kthyer në një destinacion trend dhe se zhvillimi i saj turistik katër stinor tashmë s’ka asnjë dilemë, që do ta rendisë Shqipërinë si një kampione të turizmit në rajon dhe më gjerë.

Përgjatë ceremonisë, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela realizoi disa takime B2B me fokus prezantimin e ofertës turistike me qëllim tërheqjen e vizitorëve përmes praktikave të cilat promovojnë destinacione unike të turizmit natyror, trashëgiminë kulturore, si edhe mikpritjen tradicionale shqiptare.

Nën kornizën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në harmoni me mjedisin “Tourism & Travel Show Albania 2024”, i organizuar nga “Iceberg Exhibitions” me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, do të jetë i hapur deri në 1 Shkurt nga ora 09:00 – 19:00 për t’ju zbuluar tendencat dhe ofertat turistike në Shqipëri.

Shpërndaje në: