Fjala e Drejtoreshës së AKT-së, Znj. Zana Çela në eventin për prezantimin e Aplikacionit TEA

I nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar ministra dhe ambasadorë, të nderuar pjesëmarrës.

Mirëmbrëma dhe mirëseerdhët në eventin “TEA”, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Sonte prezantojmë Kalendarin e parë Kombëtar të Eventeve të Turizmit Kulturor, Sporteve dhe të Traditës, të cilin simbolikisht e ilustruam me një instalacion performues të nxënësve të shkollave të artit të Baletit dhe të Liceut Artistik. Jetojmë në epokën e inteligjencës artificiale, në periudhën e Shqipërisë dixhitale, në stadin e Shqipërisë online, ku çdo shërbim ofrohet dhe merret me një klik, në çdo kohë e nga çdo vend, me kompiuter apo celular, nga çdonjëri prej nesh.

Shqipëria e eventeve të bukura turistike s’mund të mbetej jashtë zhvillimeve dixhitale. Ndaj ne sot promovojmë e po bëjmë aktiv, Kalendarin e parë dixhital të Eventeve turistike të Shqipërisë: Aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania), i disponueshëm në Apple Store dhe në Play Store.

Shqipëria turistike po brandohet përmes trashëgimisë kulturore dhe eventeve multiart. Pikërisht Natyra dhe Kultura do të jenë marka e turizmit për ne. Ato kanë qëndruar gjithmonë bashkë në kontekstin shqiptar dhe kanë mbështetur njëra-tjetrën. Krijimi i kalendarit dhe aplikacionit TEA na jep mundësinë të krijojmë një tregim dixhital rreth markës sonë, dhe do të ndihmojë turistët anë e mbanë globit të krijojnë një lidhje më të thellë emocionale dhe të paharrueshme me Shqipërinë.

Krijimi i një kalendari kombëtar turistik është një ide e kahershme e Kryeministrit, Z. Edi Rama, pjesë e vizionit i tij, dhe e Ministres Mirela Kumbaro, që ia besuan këtë mision Agjensisë Kombëtare të Turizmit, që unë drejtoj prej disa muajsh.

Kemi mbledhur në çdo cep të Shqipërisë mbi 1.110 evente, që nga festat tradicionale të fshatrave malorë apo bregdetarë, e deri tek festat muzikore a festivalet ndërkombëtare, në qytetet apo kryeqendrën e vendit Tiranën, duke krijuar një databazë të fuqishme, e më pas strukturuam formatet e eventeve që i përshtaten audiencave turistike.

Me një këndvështrim regjisorial, i shpërndamë ato gjeografikisht përgjatë gjithë destinacioneve turistike, që nga vija bregdetare, e deri në sheshet e qyteteve dhe

qendrat e fshatrave turistike, por edhe në sitet e trashëgimisë kulturore, për të “ndriçuar” me evente çdo amfiteatër, muze, kala, etj.

Sot harta e Shqipërisë është e mbushur me destinacione kulturore dhe sportive që organizohen jo vetëm gjatë muajve të verës, por përgjatë gjithë vitit.

TEA, e ndarë në shumë kategori, do të na sjellë Shqipërinë turistike, të kulturës, agroturizmit dhe kulinarisë, të festave lokale, të festivaleve e koncerteve muzikore, folklorike, e ato të muzikës moderne, të eventeve multiartit, të teatrit, të sporteve përfshi edhe ato më ekstremet … TEA do të sjellë informacionin për çdo preferencë e grupmoshë, në shqip e në anglisht. Le të hyjmë më në detaje, për të kuptuar se çfarë përmban e si mund të na shërbejë të gjithëve ky aplikacion.

Dua të theksoj faktin se përgjatë gjithë këtij procesi kemi patur gjithmonë parasysh që aplikacioni të jetë sa më i thjeshtë dhe i aksesueshëm lehtësisht, nga të gjithë, nga çdo përdorues.

Pasi kemi shkarkuar TEA-n në Apple Store dhe PlayStore, kjo pamje shfaqet vetëm herën e parë për të drejtuar përdoruesit që të përzgjedhin gjuhën dhe preferencat që ata kanë.

Përdoruesi mund të zgjedhë eventet e tij të preferuara, në mënyrë që të marrë gjithë informacionin e nevojshëm për të personalizuar pushimet apo eksperiencën e tij, dhe ne çdo kohë ka mundësi t’i ndryshojë tek Settings.

Kushdo që është i interesuar për të zgjedhur, së pari qytetet, e më pas të gjejë eventet që ndodhen atje, mund të zgjedhë rrugëtimin virtual përmes hartës “Map View”.

Nëse përdoruesi dëshiron të rrugëtojë duke përzgjedhur eventet, kategoritë e caktuara të tyre, atëherë zgjedh rrugëtimin virtual përmes listës së eventeve, rrugëtimin List View.

Përdoruesi mund të bëjë Zoom në hartë, e të përzgjedhë fare lehtë qytetin ku interesohet të shohë eventet turistike, që zhvillohen atje. Ekrani i qytetit ka një hartë interaktive, ku shikohet vendndodhja e eventeve. Të gjitha eventet janë të listuara.

Në ekran, përdoruesi përmes filtrimeve ka mundësinë gjithashtu të zgjedhë eventet sipas datës, kategorisë, grupmoshave të audiencave, pra nëse janë evente për të gjithë, të rinj, apo fëmijë.

Përdoruesi mund të lundrojë në listën e kategorive të të gjitha eventeve që janë të përfshira në këtë kalendar digjital.

Mund të përzgjedhë midis: Agroturizëm & Kulinari, Art Fest, Arte Pamore, Festa Lokale, Festivale Muzikore, Folklor, Koncerte, Sport, Teatër apo Trashëgimi Kulturore.

Pasi përdoruesi e ka përzgjedhur eventin që preferon ta ndjekë, mund të shkojë tek ekrani i eventit, ku gjenden :

Galeria e fotove të eventit

Emërtimi i eventit

Vendndodhja e Eventit

Data dhe Ora

Përshkrimi

Përmes filtrave mund të përzgjedhë qytetin, datat apo grupmoshën e eventit. Me butonin përkatës e mund të ndajë eventin me miqtë e tij, të cilët duhet ta shkarkojnë aplikacionin, e më pas ta shënojnë tek të preferuarit.

Dhe së fundi, përdoruesit mund të marrin informacion mbi aplikacionin përmes adresës së e-mail-it, me të cilën mund të kontaktojnë Agjencinë Kombëtare të Turizmit (calendarofevents@akt.gov.al) apo edhe të ndryshojnë preferencat mbi eventet që dëshirojnë të ndjekin, dhe gjuhën përkatëse.

Sot kemi një kalendar kombëtar të eventeve të turizmit, i cili na jep mundësi për herë të parë, të prodhojmë paketat e turizmit kulturor, duke i shtuar atraksioneve natyrore edhe destinacionet artistike e sportive, lehtësisht të arritshme përmes aplikacionit TEA.

TEA do të jetë guida, udhëzuesja, inspiruesja e çdo shqiptari, e çdo vizitori e turisti të huaj që vjen në Shqipëri.

TEA do të jetë që sot e në vazhdim eksploruesja e traditës, kulturës, muzikës dhe bukurisë së vendit tonë!

Le ta mirëpresim, ta kemi në celularët tanë e ta vëmë sa më shumë në funksion të udhëtimeve e argëtimit të të gjithëve!

 

Shpërndaje në: