Fashion Fair Albania 2026 zhvilloi në Pallatin e Kongreseve konferencën “Institucionet & Zhvillimi i Industrisë”, ku u diskutuan çështjet e ndërkombëtarizimit të industrisë shqiptare të modës dhe roli i eventeve kulturore në promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj. Zana Çela, theksoi se festivalet dhe eventet ndërkombëtare po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj, duke e kthyer Shqipërinë jo vetëm në një destinacion turistik për bukuritë natyrore, por edhe në një qendër që promovon modën, artin, trashëgiminë kulturore dhe industrinë kreative.
“Evente të tilla tashmë mbështeten edhe si pjesë e strategjisë kombëtare të turizmit, pasi përbëjnë pika të forta tërheqëse dhe një vlerë të shtuar për promovimin e vendit. Ato kthehen në referencë për artin, modën, kulturën bashkëkohore dhe trashëgiminë kulturore, duke e prezantuar Shqipërinë në një dimension të ri”, — u shpreh znj. Zana Çela, Drejtoreshë e Përgjithshme e AKT.





