Agjencia Kombëtare e Turizmit pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës

Agjencia Kombëtare e Turizmit mori pjesë në Panairin e 29 Ndërkombëtar të Tiranës, më i madhi panair i biznesit në Shqipëri, ku prezantoi potencialet e Shqipërisë në turizmin e qëndrueshëm gjithëvjetor, përmes stendës së saj dhe paneleve të ndryshme, në datat 6 deri më 9 Dhjetor 2023. 

Në ditën e parë u mbajt paneli mbi investimet strategjike, ku drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela prezantoi Kalendarin Kombëtar të Eventeve të Turizmit, Kulturës, Sporteve dhe aplikacionin TEA si edhe Konkursin Ndërkombëtar të Fotove dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania”, i cili dokumenton Shqipërinë Turistike të parë nga sytë e qindra fotografëve dhe amatorëve të apasionuar pas udhëtimeve. 

Gjatë panairit u diskutuan zhvillimet e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri dhe sfidat dhe mundësitë, për të cilët ekspertët e fushës theksuan se trendi në rritje i fluksit të vizitorëve në Shqipëri duhet të ndërthuret me vizione afatgjata të trajtimit të zonave kulturore e natyrore për t’i mbrojtur e prezantuar ato më mirë në të ardhmen. 

Në panelet e ndryshme të organizuara gjatë katër ditëve të panairit, ku morën pjesë edhe zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla, Kryetari i Shoqatës së Hotelierëve Shqiptarë Zak Topuzi dhe ekspertë të Turizmit si arkeologu Dr. Olsi Lafe, Kreu i Shoqërisë Ornithologjike Shqiptare Taulant Bino dhe Elton Çaushi Themelues i Albanian Trip, u sollën ide novatore mbi ngritjen profesionale të burimeve njerëzore të sektorit të turizmit dhe mikpritjes, ku ligjëruan profesionistë si themeluesja e Akademisë së Mikpritjes dhe Turizmit Gladiola Dona dhe Drejtoresha e Shkollës Hoteleri Turizëm Flutura Vaqarri. 

Stenda e AKT-së në panair u vizitua nga qytetarë kureshtarë, profesionistë, turoperatorë nga rajoni si dhe turistë të interesuar kryesisht për informacione dhe guida të ndryshme turistike. 

Gjithashtu organizimi i një aktiviteti argëtues “Happy Hour” me produkte lokale në bashkëpunim me Shoqatën e Restoranteve Turistike Shqiptare, ku u bashkuan edhe vizitorë të rastësishëm, ishte një nga momentet e këndshme në stendën tonë, gjatë të cilit u shkëmbyen mendime mbi ecurinë e turizmit në Shqipëri. 

Shpërndaje në: