Artisti ndërkombëtar Ye (Kanye West) do të performojë për herë të parë në Shqipëri në një super koncert që pritet të mbledhë mijëra fansa nga vendi dhe rajoni.
Koncerti do të zhvillohet në “Eagle Stadium”, një skenë gjigante e përkohshme e ndërtuar posaçërisht për këtë event në zonën e Kasharit, përgjatë aksit Tiranë–Durrës. Hapësira është projektuar sipas standardeve ndërkombëtare për evente të mëdha muzikore dhe do të ketë një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh.
Eventi do të mbahet më 11 korrik 2026, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar një produksion spektakolar me teknologji moderne skenike, efekte vizuale dhe performanca live.
Koncerti organizohet nga Streetlife në bashkëpunim me Redcloud në Tiranë. Streetlife është një kompani produksioni me bazë në Berlin, Gjermani, e njohur për bashkëpunime me artistë ndërkombëtarë si 50 Cent, Drake, J. Cole, Snoop Dogg dhe Kendrick Lamar.
Sipas organizatorëve, ky pritet të jetë një nga eventet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, me ndikim të rëndësishëm në turizëm dhe ekonomi. Partnerët organizatorë do të mbulojnë kostot që lidhen me ndërtimin e infrastrukturës së përkohshme, produksionin artistik dhe realizimin teknik të koncertit.
Biletat janë në shitje online përmes platformës zyrtare YE Albania.


