U prezantua sot Edicioni i Dytë i Konkursit Ndërkombëtar “Wanderlust in Albania – Foto & Video Reels”. Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela në një konferencë për mediat u shpreh se në një treg global por dhe rajonal në rritje e shumë konkurues promovimi efektiv i turizmit kërkon kreativitet dhe inovacion për tërheqjen e turistëve të mundshëm potencialë.
“Ne vazhdimisht jemi në kërkim të mënyrave dhe mjeteve të reja dixhitale për të promovuar Shqipërinë turistike. Pasi krijuam Aplikacionin TEA guidën 360 gradë, që tashmë ofron informacione për destinacionet natyrore dhe sitet kulturore, evente kulturore dhe sportive, menjeherë erdhi një tjetër promovim inovativ me përmbajtje të krijuar nga vetë turistët, udhëtarët, promovim i cili inkurajon të gjithë vizitorët apo turistët të ndajnë përvojat dhe emocionet e tyre përmes fotove dhe videove të krijuar nga ata. Kështu lindi konkursi ndërkombëtar “Wonderlust in Albania” që sot hap thirrjen e edicionit të tij të dyte, si një mënyrë e re që promovon Shqipërinë turistike përmes tregimtarëve më autentikë – vetë vizitorëve”, theksoi në fjalën e saj Drejtoresha e AKT-së, Zana Çela.
Të gjithë pjesëmarrësit në konkurs mund të garojnë në 11 kategori dhe do të kenë 15 ditë kohë për të ngarkuar materialet më të mira në faqen https://www.wanderlustinalbania.al/ , nga data 21 mars 2025 deri më 4 prill 2025.
Një risi e këtij edicioni është kategoria (CGI), e cila do të na mundësojë të japim jetë historisë së Shqipërisë turistike.
“Me integrimin e artit dixhital dhe animacionit, ky konkurs do të arrijë audienca të reja dhe do të sjellë një prezantim modern dhe plot ngjyra të Shqipërisë”, deklaroi Çela.
Fituesit do të nderohen dhe shpërblehen për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në promovimin e Shqipërisë me plot 40 çmime speciale më datë 24 prill 2025, në një mbrëmje Gala në Pallatin e Brigadave.