Rritje Rekord në Fluksin e Vizitorëve në Shqipëri. Në muajin nëntor 2024, Shqipëria ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vizitorëve, me 1.265.009 shtetas shqiptarë dhe të huaj që hynë në territorin e vendit, një rritje prej 15,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave flasin për një trend pozitiv dhe një zhvillim të qëndrueshëm të industrisë turistike në Shqipëri.
Ky fenomen, që ndodh gjatë muajve të vjeshtës, dëshmon se Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të preferuar edhe për turistët që kërkojnë klimë të butë dhe pamje të mahnitshme natyrore pas sezonit të verës.
Po ashtu, sipas INSTAT janë 1.275.333 shtetas, shqiptarë dhe të huaj që kanë dalë nga Shqipëria, me një rritje prej 18,6% krahasuar me një vit më parë.
Si faktorë të rritjes së numrit të vizitorëve mund të rendisim disa, si: kushtet e përshtatshme klimatike, përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve, oferta të reja të turizmit, siguria dhe stabiliteti, çmimet më të arsyeshme, aktivitetet lokale dhe promovimi i destinacioneve në vjeshtë në kuadër të turizmit gjithë-vjetor.