Në prag të çeljes së sezonit turistik veror u zhvillua Konferenca Kombëtare e Sigurisë në Turizëm, “Safe Stay in Albania”, me qëllim marrjen e masave për sigurimin dhe garantimin e infrastrukturës dhe shërbimeve cilësore për mirëpritjen e fluksit të vizitorëve, të cilët do të zgjedhin Shqipërinë si vendin e tyre të pushimeve.
Gjatë konferencës, Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria duhet t’i përgjigjet interesit të shtuar të turistëve që zgjedhin vendin tonë si destinacion pushimesh.
“Duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe shumë të kujdesshëm për të mos e lënë këtë prurje në rrjedhje të lirë sepse e kam thënë dhe herë të tjera, ne nuk na duhet një Shqipëri destinacion i turizmit masiv. Ne nuk na duhet thjeshtë të rrisim numrin e vizitorëve të huaj. Ne na duhet një vend që i ekuilibron të gjitha shtresat dhe kategoritë e turistëve dhe që arrin të formulojë një ofertë ku nuk janë numrat në pamje të parë ato që kanë rendësi, por kur është cilësia e numrave”, theksoi ndër të tjera kreu i qeverisë.
Gjatë fjalës së saj Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro nënvizoi se garantimi i sigurisë në bregdet në muajt e pikut të sezonit turistik veror është një përgjegjësi e lartë për të gjitha instancat shtetërore.
Ministrja Kumbaro deklaroi se janë çertifikuar 110 turoperatorë detarë dhe mbi 600 udhërrëfyes. “Kemi çertifikuar mbi 110 operatorë të turizmit detar dhe askush nuk do të mund të ushtrojë aktivitetin e turizmit detar dhe ujor nëse nuk do të jetë i pajisur me çertifikatën përkatëse, dhe kjo vlen edhe për hapësirat e tjera ujore, si liqeni i Pogradecit, lumi i Shalës apo Liqeni i Komanit dhe mjetet do të bllokohen nga Policia e Shtetit nëse operohet pa certifikimin në Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Nuk diskutohen prania e pangegociueshme e vrojtuesve të plazheve për çdo stacion si dhe gjithë sinjalistika orientuese për pushuesit”, theksoi zonja Kumbaro.
Ministrja e Turizmit u shpreh se institucioni, që ajo drejton do të intensifikojë rolin monitorues dhe në mbrojtje të standardeve në turizëm.
Sipas ministres Kumbaro referuar statististikave të tre muajve të fundit, dhe kontratave të konfirmuara nga sektori privat pritshmëritë në flukse turistike gjatë këtij vitit do të jenë të larta.
Gjatë konferencës mbajtën fjalën e tyre edhe anëtarë të tjerë të Këshillit të Ministrave.