Në kuadër të prezantimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, Agjencia Kombëtare e Turizmit organizoi vizitën e CEO-s së Kompanisë Ajrore Transavia Marcel De Nooijer, si dhe tour – operatorëve e gazetarëve hollandezë, të cilët vizituan Shqipërinë përgjatë datave 15-17 Prill.
Gjatë këtij udhëtimi me miqtë hollandezë dhe guidën profesionale të arkelogut Ols Lafe, u zhvillua një tur nga liqenet e Belshit, një mrekulli mesdhetare e zonës së Dumresë, në qytetin e Beratit të UNESCO-s, i cili edhe në një ditë me shi të surprizon me magjinë ndërshekullore.
Lagjja Mangalem, Muzeu “Onufri”, Kalaja e Beratit, rrugicat e bukura me kalldrëm, Kantina “Çobo” ishin vendet që u vizituan në qytetin e “Një mbi një dritareve”.
Në Vlorë miqtë nga Hollanda dhe stafi i AKT-së u pritën përzemërsisht nga kryebashkiaku Ermal Dredha, i cili shprehu kënaqësinë e tij që në këtë tur u përzgjodh edhe Vlora.
Shëtitja në ishullin e Zvërnecit, përgjatë vijës bregdetare të Vlorës, ku ndihet fuqishëm investimi në infrastrukturë dhe përmbyllja e këtij rrugëtimi me Durrësin mijëravjeçar ishin veçse disa momente kulmore të një vizite, efektet e të cilës po përkthehen me rritjen e interesit të vizitorëve hollandezë për të vizituar Shqipërinë.
Mrekullimin e tij për potencialin natyror dhe kulturor të Shqipërisë, CEO i Transavia-s Marcel De Nooijer e shprehu me këto fjalë: “Këtë javë, së bashku me partnerët e biznesit dhe mediat turistike, arrita të vizitoj Shqipërinë e bukur për të parë me sytë e mi se çfarë bukurie ka për të zbuluar atje. Transavia është e lumtur që mund të kontribuojë në këtë rritje ekonomike dhe të lidhë Holandën edhe më shumë me Shqipërinë”, u shpreh zoti De Nooijer.
Zoti De Nooijer shprehu mirënjohjen për mbështetjen e AKT-së në këtë tur në Shqipëri si dhe shprehu kënaqësinë e tij se këtë verë do të jenë të shumtë qytetarët hollandezë, që do të zbulojnë Shqipërinë dhe shijojnë mikpritjen e jashtëzakonshme shqiptare.