Shqipëria, destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët hungarezë

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj. Zana Çela pati sot një takim me Znj. Martina Kasnyik, Ambasadore e Hungarisë në Shqipëri.
Mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në kuadër të promovimit të turizmit shqiptar për shtetasit hungarezë ishin në qendër të bisedës.
Mbi 50 mijë shtetas hungarezë e kanë vizituar vendin tonë gjatë periudhës Janar – Tetor 2024, duke shënuar një rritje prej 16% krahasuar me një vit më parë. Përmirësimi i lidhjeve ajrore, paketat turistike dhe akomodimi, kultura dhe historia dhe përvoja e natyrës janë vetë disa prej arsyeve të rritjes së numrit të turistëve hungarezë që vizitojnë Shqipërinë.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së Znj. Zana Çela i paraqiti Ambasadores Kasnyik, vizionin e qeverisë shqiptare me në fokus turizmin gjithëvjetor deri në vitin 2030, i cili do të shoqërohet me zhvillimin e vazhdueshëm të infrastrukturës dhe ndërtimin e veprave të mëdha në shërbim të sektorit të turizmit, si porte dhe aeroporte.
Nga ana e saj, Ambasadorja e Hungarisë konfirmoi interesin në rritje të shtetasve hungarezë për të vizituar Shqipërinë jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe në stinën e dimrit.
Në shërbim të turistëve hungarezë, ndërkombëtare dhe lokalë, sot turizmi shqiptar ka vënë në dispozicion edhe Kalendarin Digjital të Eventeve, TEA.
Shpërndaje në: