Nën sloganin e ri “Albania All Senses”, (Shqipëria me të gjitha ndjesitë e shijet), Shqipëria Turistike po prezanton bukuritë unike mesdhetare, alpet, plazhet e kaltra, trashëgiminë kulturore e natyrore, sitet UNESCO, në një ofertë turistike të diversifikuar në Panairin më të madh botëror të Turizmit, ITB Berlin 2024, i cili po mbahet në kryeqytetin e Gjermanisë, më 5 – 7 Mars 2024.
ITB Berlin është Panairi Ndërkombëtar më i rëndësishëm i Udhëtimit, i cili ofron mundësi për të mësuar rreth vendeve dhe rajoneve të ndryshme në mbarë globin dhe këtë vit ai vjen me moton “Pionierët e Tranzicionit në Turizëm dhe Udhëtime”.
Gjatë panairit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bashkë me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, 26 turoperatorë dhe krerët e shtatë bashkive të qyteteve me potencial turistik të vendit tonë do të prezantojnë magjinë turistike të Shqipërisë me të gjitha ndjesitë, shijet dhe ngjyrat e saj.
Gjatë ditëve të panairit do të zhvillohen një sërë takimesh të nivelit të lartë, do të nënshkruhen marrëveshjet e rëndësishme nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro për shpalljen e Shqipërisë zyrtarisht “Vend Nderi” (Albania – Host Country 2025) në Panairin e ardhshëm ITB Berlin 2025 dhe ajo me Organizatën Botërore të Turizmit, UNWTO për organizimin e takimit të 70 rajonal të Komisionit për Evropën në Tiranë, pranverën e këtij viti.
Nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit në stendën e përfaqësimit të Shqipërisë do të prezantohen për publikun e pranishëm në panair edhe slogani i ri “Albania-All Senses” dhe Kalendari Digjital i Eventeve të Turizmit Kulturor, Traditës, Sporteve dhe Arteve – TEA.
Ndërkohë turoperatorët dhe bashkitë e qyteteve pjesëmarrëse të vendit tonë do të prezantojnë ofertën turistike të Shqipërisë për një turizëm të qëndrueshëm dhe katër stinor, duke i dhënë rëndësinë e duhur edhe atraksioneve ende të panjohura të Shqipërisë Turistike, destinacioneve natyrore, kulturore, e të mbrojtura në të gjithë territorin e Shqipërisë.