Aplikacioni TEA, risia e turizmit shqiptar për vitin 2023 u nderua me titullin “Aplikacioni më i mirë i Turizmit”, gjatë mbrëmjes gala të ndarjes së çmimeve kushtuar turizmit, e organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bashkë me Unionin Turistik Shqiptar në përmbyllje të vitit, për të vlerësuar të gjithë aktorët e sektorit më jetik në ekonominë shqiptare, të cilët ndikuan me performancën e tyre në bumin turistik të Shqipërisë.
TEA – Kalendari i parë Kombëtar digjital i Eventeve të Turizmit Kulturor, Traditës, Sporteve e Eventeve artistike u nderua me motivacionin: “Risia më e fundit teknologjike e Turizmit Shqiptar, që përmblodhi në një aplikacion të vetëm të gjitha eventet e Shqipërisë, për ta branduar vendin tonë si një destinacion turistik përmes trashëgimisë kulturore, natyrës dhe eventeve artistike”.
Gjatë kësaj mbrëmjeje u shpërndanë 21 çmime për bizneset e hotelerisë, udhëtimit, mikpritjes, ndërsa “Bashkia Sarandë” u vlerësua si destinacioni më atraktiv gjithëvjetor i Shqipërisë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj, vlerësoi bashkëpunimin dhe performancën e sektorit privat për vitin 2023, duke nënvizuar se po mbyllet një vit historik për turizmin shqiptar.
“Po mbyllim së bashku një vit historik në nivel shifrash dhe me një bilanc të jashtëm pozitiv si ekonomi e hapur për herë të parë në histori, ku performanca e sektorit privat ka qenë qershia mbi tortën e punëve të pjekura dhe mirëkorkoordinuara. Të gjithë aktorët e sektorit kanë rolin e tyre të padiskutueshëm në sinergjinë e punëve të krijuara dhe koordinuara mirë për të prodhuar këto rezultate që sot kemi arritur”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Më tej gjatë fjalës së saj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit përmendi edhe projektet e përbashkëta e sfidat për vitin 2024 i cili nis me një ngjarje të rëndësishme në promovimin ndërkombëtar siç është panairi i turizmit ‘Fitur Madrid’ i cili do të mbahet në muajin janar.
Ndërsa, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku evidentoi se “TIA ka regjistuar 7 milionë vizitorë që kanë hyrë nga ajri në Shqipëri ose 120% më shumë krahasuar me vitin 2019, i cili ishte edhe viti i fundit normal para pandemisë.”
“Turizmi nuk bëhet dot as vetëm nga qeveria, as vetëm nga hotelierët as vetëm nga turoperatorët, as vetëm nga udhërrëfyesit. Turizmi bëhet nga të gjithë ne dhe ne e kemi në ADN−në tonë”, tha më tej ministrja Balluku.
Deri në muajin nëntor, Shqipëria është vizituar nga 9.54 milionë turistë të huaj. Peshën kryesore e zënë vizitorët nga Kosova, por risi për këtë vit kanë qenë flukset e larta nga Italia (872 mijë vizitorë) dhe rritje të shpejtë nga vende si Mali i Zi, Spanja, Franca e Gjermania.
Nga ana tjetër, Shqipëria po zbulohet me rritje të ndjeshme nga vende si Turqia, Kina e vendet nordike e njëkohësisht gjatë këtij viti janë rikuperuar flukset e vizitorëve nga Ukraina.