Shqipëria u përfaqësua suksesshëm në Panairin “Wine Vision 2024” e zhvilluar nga 22/24 nëntor 2024 në Beograd. Nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, prezantimi i Shqipërisë ishte dinjitoz dhe shumë i suksesshëm jo vetëm në aspektin e prezantimit të shpirtit shqiptar të prodhimit të verës mes 38 vendeve të Evropës Juglindore, por edhe në kontekstin e përmbajtjes.
“Confluence of Culture” ishtë tema e stendës prezantuese të Shqipërisë, vendosur në krahë të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, nisur nga bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.
Në ditën e parë të Panairit, morën pjesë në ceremoninë e hapjes, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Znj. Anila Denaj, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj. Zana Çela dhe Ambasadori i Shqipërisë në Shqipëri, Z. Bardhyl Canaj, të cilët vizituan nga afër stendat e bizneseve shqiptare pjesëmarrëse në këtë panair.
Me qëllim parësor promovimin e turizmit të qëndrueshëm, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj. Zana Çela nënshkroi Memorandume Bashkëpunimi të rëndësishme me drejtoreshat e agjencive simotra të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Memorandumi i parë i Bashkëpunimit u nënshkrua në një ceremoni të posaçme në ditën e dytë të Panairit të Verës nga Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Znj. Zana Cela dhe Drejtoresha e Organizatës Kombëtare të Turizmit të Serbisë Znj. Marija Labovic.
Në deklaratën e saj për mediat, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së nënvizoi:
“Ne kemi rënë dakord të punojmë së bashku për të siguruar turizëm të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit në zonat malore dhe parqet kombëtare. Në aspektet kryesore të këtij memorandumi, të dyja agjencitë tona të turizmit do të zhvillojnë dhe promovojnë produkte turistike për turistët shqiptarë dhe serbë.
Drejtimet kryesore të këtij memorandumi do të jenë:
1) Ndarja e informacionit dhe ngjarjeve
– Shkëmbimi i informacionit në lidhje me ngjarjet e promovimit të turizmit (ekspozita, panaire, seminare etj.)
2)Marketingu dhe Reklamimi
– Shkëmbimi i përvojës në zbatimin e strategjive të marketingut
– Shkëmbimi i statistikave të turizmit
3)Përmirësimi i cilësisë
– Shkëmbimi i përvojës në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe infrastrukturës në turizëm
4)Media dhe Komunikimi
– Shkëmbim përfaqësues të mediave dhe udhëtime informuese
5)Bashkëpunime në Projekte
– Projektet e shkëmbimit të financuara nga Bashkimi Evropian për politikën e gjelbër dhe turizmin
6)Edukimi dhe zhvillimi profesional
– Vendosja e kontakteve me institucionet arsimore të angazhuara në trajnimin e stafit profesional.
7)Rrjetëzimi dhe Partneritetet
– Vendosja e kontakteve me organizata të ndryshme dhe kompani që operojnë në fushën e turizmit në dy vendet tona.”
Në ditën e tretë dhe të fundit të Panairit “Wine Vision 2024” u nëshkrua Memorandumi i dytë i Bashkëpunimit nga Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj. Zana Çela dhe Drejtoresha e Agjencisë për Promovimin dhe Përkrahjen e Turizmit Republikës së Maqedonisë së Veriut, Znj. Biljana Stefanoska.
Ky Memorandum Bashkëpunimi synon nisjen dhe forcimin e ndërveprimeve në zhvillimet e përbashkëta rajonale të turizmit.
Marrëveshja bën bashkë përpjekjet e agjencive për të punuar për promovimin e turizmit të qëndrueshëm gjithëvjetor në zonat malore dhe parqet kombëtare.
Gjatë Panairit “Wine Vision 2024” Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe sipërmarrjet shqiptare u prezantuan me stendat e tyre në mes të mbi 650 stendave nga vende të ndryshme të Evropës Jullindore, ku u paraqitën varietete të shumëllojshme vere dhe produkte të tjera ushqimore të kulinarisë.