Shqipëria prezantoi potencialet në turizmin e qëndrueshëm, përmes një agjende të nivelit të lartë në “ITB Berlin 2023”, panairin më të rëndësishëm në botë për turizmin.
Në datat 7-9 mars, përmes një programi të mirëorganizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nën sloganin “Albania-All you need is here”, u promovuan ofertat turistike, të cilat synojnë turizmin gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm.
Më 7 mars, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u pritën nga kancelari gjerman Olaf Scholz, për të vijuar me takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashivili në mjediset e ITB Berlin. Më tej, aktiviteti vazhdoi me tryeza pune e takime me përfaqësues të industrisë gjermane të turizmit, donatorë, përfaqësues të sektorit privat dhe konferencë për shtyp për mediat gjermane.
Gjatë këtyre ditëve Shqipëria tregoi se po tërheq çdo ditë e më shumë vëmendjen e të gjjthë sektorit, duke u cilësuar si një nga destinacionet e pazbuluara turistike më të kërkuara në Europë.