Shqipëria mirëpret 40 ministra europianë të turizmit pranverën e ardhshme

Shqipëria do të jetë vendi pritës i mbledhjes së 70−të të Komisionit Europian të Organizatës Botërore të Turizmit, e cila do të mbahet në pranverën e vitit të ardhshëm. Ky event madhor, në të cilin do të marrin pjesë 40 ministra të turizmit nga e gjithë bota, vjen nën kornizën e edicionit të dytë të  FESTA − Forum of Environmental and Sustainable Tourism in Albania.

Nga Uzbekistani, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Pergjithshme të Organizatës Botërore të Turizmit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Mirela Kumbaro tha se kjo ngjarje, është edhe një provë sesi Shqipëria po përparon në turizmin e eventeve dhe konferencave të mëdha.

 

“Është kjo një tjetër provë shumë e rëndësishme, që turizmi në Shqipëri po gjen jo vetëm, ndjekësit e vet në fushën e turizmit natyror, të turizmit të kulinarisë, të turizmit të kulturës, të turizmit shëndetësor, por sidomos të turizmit të eventeve, të ngjarjeve, të konferencave të mëdha, që janë gjithmonë e më shumë të rëndësishme, siç po ndodh dhe këto ditë në Tiranë”, u shpreh ministrja Kumbaro.

 

Në mbledhjen e Komisionit Europian, Shqipëria u prezantua në krye të klasifikimeve për flukset turistike, e para në Evropë me 56% më shumë krahasuar me vitin 2019 dhe e treta në botë për rritjen e të ardhurave nga turizmi me 77% më shumë krahasuar me periudhën e parapandemisë.

 

Shpërndaje në: