Agjencia Kombëtare e Turizmit merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës

Agjencia Kombëtare e Turizmit do të prezantojë potencialet e Shqipërisë në turizmin e qëndrueshëm, përmes stendës së saj zyrtare dhe paneleve të ndryshme në Panairin e 29-të Ndërkombëtar të Tiranës nga data 6 deri më 9 Dhjetor 2023, i cili do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë.

Agjencia Kombëtare e Turizmit do të shpërfaqë një gamë të gjerë të destinacioneve dhe mundësive turistike që ofron vendi duke synuar të ndërtojë një prezencë ndërkombëtare dhe të çojë përpara përpjekjet për të bërë Shqipërinë një destinacion të qëndrueshëm gjithëvjetor dhe elitar turistik.

Pjesëmarrja për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës shërben si një platformë e shkëlqyer për të promovuar bukuritë natyrore, kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore e natyrore  për një audiencë ndërkombëtare duke shkëmbyer informacione të vlefshme për turistët, përfshirë udhëzime për udhëtim, informacione rreth atraksioneve, evenimenteve kulturore etj.

Gjatë Panairit të 29 Ndërkombëtar të Tiranës do të mbahen panelet e diskutimit me temë mbi investimet strategjike dhe pritshmëritë për vitin 2024; prezantimi i Aplikacionit TEA – Kalendari Kombëtar dixhital i Eventeve të Turizmit, Kulturës, Sporteve dhe Eventeve të Artit e Traditës dhe arritjet e deritanishme; prezantimi i Konkursit Ndërkombëtar të Fotove dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania”; zhvillimet e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri dhe sfidat dhe mundësitë si dhe ngritja profesionale e burimeve njerëzore të sektorit të turizmit dhe mikpritjes.

Bashkë me mikpritjen në stendën tonë qëllimi i përbashkët i të gjithë aktorëve në fushën e turizmit është të promovojnë rritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë turistike në katër stinë!

Share