Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë, znj. Zana Çela dhe Drejtori i Organizatës Kombëtare të Turizmit të Zvicrës, z. Federico Sommaruga, nënshkruan në selinë e kësaj organizate në Zyrih, një memorandum për bashkëpunimin në fushën e turizmit.
Kjo marrëveshje mirëkuptimi vjen në kuadër të idesë se turizmi është një mjet i rëndësishëm për shprehjen e vullnetit të ndërsjellë dhe fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve tanë.
Duke e parë turizmin si një faktor të rëndësishëm të jetës ekonomike, kulturore e sociale të të dy shteteve tona, Shqipërisë dhe Zvicrës, palët ranë dakord të inkurajojnë bashkëpunimin për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, që përfshin asistencë në vendosjen e kontakteve me organizatat përkatëse, dhe në zhvillimin e qasjes për një turizëm të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit në zonat malore dhe parqet kombëtare,
Gjithashtu ky memorandum parashikon asistencë në zhvillimin dhe promovimin e produkteve për turistët shqiptarë dhe zviceranë në bashkëpunim me federatën lokale të agjencive turistike përgjegjëse për mbështetjen e tyre jashtë vendit.
Drejtoresha Zana Çela dhe Drejtori Sommaruga u dakortësuan edhe për dhënien e informacioneve të ndërsjella sa i përket ekspozitave, kongreseve, panaireve, ngjarjeve të ndryshme mbi turizmin, si dhe për bashkëpunimin në projekte të përbashkëta për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Memorandumi mes Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Organizatës Kombëtare të Turizmit në Zvicër u nënshkrua edhe në prani të Ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër, z. Ilir Gjoni.