Matka Finland

Nisi dje Panairi Ndërkombëtar i Turizmit MATKA, i cili zhvillohet në Helsinki, Finlandë, një ndër panairet më të mëdhenj dhe të rëndësishëm që zhvillohet në vendet skandinave prej datës 16-20 Janar. Agjencia Kombëtare e Turizmit merr pjesë me stafin e saj dhe 8 operatorë turistikë, të cilët operojnë me tregun nordik. Në mënyrë të veçantë tregu turistik finlandez njihet për udhëtimet e shumta me drejtim “out-going” duke paraqitur në këtë mënyrë një mundësi mjaft të volitshme për tu tërhequr në Shqipëri. Panairi i udhëtimit prezanton rreth 1,000 operatorë turistikë, destinacione udhëtimi dhe kompani të shërbimeve turistike nga më shumë se 80 vende çdo vit. Më shumë se 50,000 konsumatorë dhe pothuajse 20,000 profesionistë nga industria e turizmit vizitojnë çdo vit. Gjatë vitit të shkuar rreth 35 mijë turistë Skandinavë vizituan Shqipërinë duke hapur kështu një kapitull tjetër për Turizmin Shqiptar. Gjatë ditës së parë ka pasur një interesim të lartë të publikut, mediave ku janë realizuar disa takime. Panairi do të zgjasë deri me datë 20 janar dhe numri i vizitorëve pritet të rritet dita ditës.
Share