Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) forcojnë bashkëpunimin për promovimin e Shqipërisë, zgjerimin e tregjeve turistike dhe hapjen e linjave të reja ajrore.
Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, Drejtori Operacional i TIA-s, Piervittorio Farabbi, dhe Administratorja e TIA-s, Marsida Pallko.
Ky bashkëpunim synon të rrisë aksesin dhe lidhjet ndërkombëtare, të zgjerojë mundësitë e promovimit të Shqipërisë në tregjet globale dhe të kontribuojë në zhvillimin e turizmit cilësor gjatë 365 ditëve të vitit.
Përmes kësaj marrëveshjeje synohet gjithashtu forcimi i markës turistike “Albania” dhe rritja e prezencës së Shqipërisë si destinacion turistik në tregjet ndërkombëtare.


