Vizita zyrtare e Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Jola Hysaj, në Azerbajxhan, është pasqyruar edhe nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve e Azerbajxhanit, AZƏRTAC, në një artikull të publikuar më 16 tetor 2026, me titull “Zgjerohen marrëdhëniet turistike ndërmjet Azerbajxhanit dhe Shqipërisë”.
Në kuadër të kësaj vizite, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT), znj. Jola Hysaj, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Azerbajxhan, z. Besart Kadia, zhvilluan një takim me Kryetarin e Bordit Drejtues të Byrosë së Turizmit të Azerbajxhanit, z. Florian Sengstschmid.
Sipas lajmit të publikuar nga AZƏRTAC, duke iu referuar informacionit të përcjellë nga Agjencia Shtetërore e Turizmit e Azerbajxhanit, gjatë takimit u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e turizmit, me fokus të veçantë në realizimin e nismave të përbashkëta për vitin 2027.
Në qendër të diskutimeve ishin zhvillimi i lidhjeve të transportit ndërmjet dy vendeve, rritja e flukseve turistike të ndërsjella, promovimi i destinacioneve turistike, shkëmbimi i përvojave dhe forcimi i marrëdhënieve ndërmjet përfaqësuesve të industrisë së turizmit.
Takimi përbën një hap të rëndësishëm në vijim të bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve, të formalizuar përmes Memorandumit të Mirëkuptimit, të nënshkruar më 21 qershor 2025 ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë dhe Byrosë së Turizmit të Azerbajxhanit.
Ky memorandum përcakton kuadrin e bashkëpunimit për forcimin e marrëdhënieve turistike, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin ndërkombëtar të potencialeve turistike të të dy vendeve. Ndër drejtimet kryesore të bashkëpunimit përfshihen zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm, promovimi i turizmit gjithëvjetor, si dhe prezantimi i trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Azerbajxhanit dhe i destinacioneve bregdetare, historike e kulturore të Shqipërisë.
Sipas AZƏRTAC, palët parashikojnë organizimin e një vizite tjetër për të diskutuar më në detaje drejtimet e identifikuara të bashkëpunimit dhe për të zhvilluar nisma konkrete të përbashkëta.
Agjencia Kombëtare e Turizmit vijon angazhimin për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, promovimin e Shqipërisë në tregje të reja turistike dhe krijimin e mundësive të bashkëpunimit që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
https://azertag.az/xeber/azerbaycan_ile_albaniya_arasinda_turizm_elaqeleri_genislendirilir-4465251


