Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Zana Çela, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, znj. Gabriel Cremades Ventura, si dhe znj. Blanca Pérez-Sauquillo, Drejtore e Entit Spanjoll të Turizmit në Milano dhe Konsulle e Përgjithshme e Spanjës në këtë qytet, e cila kryeson delegacionin spanjoll të ardhur në Tiranë për prezantimin e linjës së re direkte Tiranë–Santander dhe promovimin e rajonit të Cantabrias.
Gjatë takimit, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT prezantoi një panoramë të zhvillimit të sektorit të turizmit në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te Strategjia e Turizmit 2030, prioritetet për zhvillim të qëndrueshëm, investimet në infrastrukturë, si edhe rritja e pranisë së markave ndërkombëtare hoteliere në pesë vitet e fundit.
Znj. Çela theksoi rëndësinë e promovimit të ofertës së larmishme turistike shqiptare, jo vetëm përmes pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare, por edhe përmes formave moderne dhe digjitale të komunikimit, të cilat rrisin vizibilitetin e Shqipërisë në tregjet globale.
Nga ana e tij, Ambasadori Gabriel Cremades Ventura u shpreh i impresionuar nga rritja e numrit të turistëve spanjollë në Shqipëri, duke theksuar se vendi është bërë një destinacion gjithnjë e më popullor dhe i preferuar për pushime, falë ofertës së diversifikuar turistike.
Sipas të dhënave, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, Shqipërinë e vizituan 10,485 turistë spanjollë, një rritje prej 17.03% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa gjatë vitit 2025, numri i turistëve spanjollë arriti në 108,166.





