Vizita e drejtorit të Tregjeve të Reja dhe Projekteve të Agjencisë Zviceriane Federico Sommaruga

Agjencia Kombëtare e Turizmit priti gjatë një vizitë dy ditore në Tiranë, Drejtorin e Tregjeve të Reja dhe Projekteve pranë Organizatës Zviceriane të Turizmit (Switzerland Tourism), Z. Federico Sommaruga. Takimet e kryesuara nga Drejtoresha e Përgjithshme e AKT Znj.Zana Çela, filluan pranë ambjenteve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ku ishte e pranishme dhe Znj. Herida Duro, Drejtoreshë e Zhvillimit të Programeve të Turizmit, ku fokusi kryesor ishte tek krijimi i mundësive të reja të bashkëpunimit mes institucioneve respektive. Ky takim shërbeu gjithashtu dhe si një workshop për stafin e AKT në kuadër të formave të reja të promovimit digjital e jo vetëm.

Turi i zhvilluar me Z. Sommaruga pati disa vendndalesa, duke filluar me Amfitetarin antik të Durrësit si dhe Torrën Veneciane, dy nga simbolet e rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Z. Sommaruga u shpreh i impresionuar nga kjo vizitë dhe theksoi se trashëgimia e pasur monumentale historike e Shqipërisë duhet ruajtur dhe duhet punuar për ta vënë atë në funksion të zhvillimit të turizmit.

Më pas në Kantinën Duka, një nga modelet e suksesshme të agroturizmit, drejtori Sommaruga u njoh me shijet e ushqimit tradicional shqiptar dhe mikpritjen e ofruar si një element i rëndësishëm i identitetit tonë. Vizita përfundoi me një ndalesë në Resortin Meliá Durrës, ku pas bisedës së zhvilluar me Menaxherin e Përgjithshëm të këtij resorti, Juan Tunon Cifre, Drejtori Sommaruga shprehu vlerësimin e tij për këtë resort, si një nga strukturat më të mira në Europë të këtij grupi resortesh.

Agjencia Kombëtare e Turizmit shprehet besimplotë që dhe në të ardhmen, të fitojë besimin e partnerëve të tillë të rëndësishëm si Organizata Zviceriane e Turizmit për të marrë eksperiencat më të mira të Agjencive homologe.

Share