Magji dhe tinguj në monumentin historik të kalasë së Porto Palermos

Në kalanë e bukur të Porto Palermos, një monument i trashëgimisë kulturore që gjendet mes Himarës rrëzëllitëse dhe fshatit të bukur bregdetar të Qeparoit, për pesë fundjava rresht tingujt e muzikës do të jehojnë mureve të saj dhe rrethepërqark peizazhit magjepsës.

Nga 14 korriku deri në 14 gusht tingujt e violinës së mjeshtrit Olen Cezarit dhe performancat e shumë artistëve të tjerë do t’i japin jetë këtij monumenti historik, që vizitohet nga mijëra turistë çdo sezon turistik, përmes edicionit të tretë të Festivalit të Porto Palermos, në brigjet e Rivierës sonë të mrekullueshme.

Porto Palermo Festival gjatë të premteve dhe të shtunave do të sjellë javë pas jave në mjediset e kalasë bashkë me Olen Cezarin edhe artistë si Gëzim Myshketa, Agron Peni, Kastriot Tusha, Josif Gjipali dhe Ardita Meni, Eda Zari, Elina Duni, Dren Abazi e shumë të tjerë që pritet të mbushin me magji dhe emocione kupolën rrethorë të skenës së kalasë se Ali Pashë Tepelenës.

Përjetoni muzikën më të mirë dhe elitare në Festivalin e Porto Palermos këtë verë, një event që e gjeni në Aplikacionin TEA- Kalendarin Kombëtar të Turizmit Kulturor dhe Traditës, i cili ju jep mundësinë ta përzgjidhni e ta bëni pjesë të udhëtimit tuaj në Shqipëri këtë verë.

Hulumtoni Aplikacionin TEA dhe përjetoni muzikën e bukur përmes eventeve që ajo ju shpalos!

Share