Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Komiteti i Turizmit i Republikës së Uzbekistanit hedhin hapa konkretë drejt forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe promovimit të përbashkët të destinacioneve turistike.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Jola Hysaj, zhvilloi një takim me Kryetarin e Komitetit të Turizmit të Republikës së Uzbekistanit, z. Abdulaziz Akkulov, në fokus të të cilit ishte zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në sektorin e turizmit.
Gjatë takimit, palët arritën një dakordësi paraprake për hartimin e një projekt-memorandumi bashkëpunimi, i cili do t’u nënshtrohet procedurave përkatëse të shqyrtimit dhe miratimit. Kjo nismë synon të krijojë mundësi të reja për promovimin e ndërsjellë të destinacioneve, rritjen e flukseve turistike dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua promovimit të potencialeve turistike të Shqipërisë dhe Uzbekistanit në tregjet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, u diskutua mbi mundësitë e prezantimit të destinacioneve shqiptare, si dhe të qyteteve historike të Uzbekistanit, si Samarkand, Bukhara, Khiva dhe Shakhrisabz, në tregje të reja turistike.
Organizimi i udhëtimeve promovuese (FAM trips) për gazetarë, blogerë dhe krijues të përmbajtjeve digjitale ishte një tjetër drejtim i rëndësishëm i diskutimeve, me synimin për të rritur njohjen ndërkombëtare të ofertës turistike të të dyja vendeve.
Palët shqyrtuan gjithashtu mundësitë për nxitjen e partneriteteve të drejtpërdrejta ndërmjet operatorëve turistikë, krijimin e produkteve dhe paketave të përbashkëta turistike, si dhe identifikimin e masave që mund të lehtësojnë udhëtimet dhe shkëmbimet turistike ndërmjet Shqipërisë dhe Uzbekistanit.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke hapur perspektiva të reja për bashkëpunim, shkëmbim përvojash dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës në tregje të reja turistike.

