I vendosur në zemër të Shqipërisë, në luginën e lumit Shkumbin, Elbasani është qyteti i tretë më i madh në vend. Ai gëzon një pozicion gjeografik strategjik që e ka bërë gjithnjë një pikë kyçe lidhjeje mes veriut dhe jugut. Qyteti shtrihet në fushën e Elbasanit, në krahun e djathtë të rrjedhjes së mesme të Shkumbinit, i rrethuar në lindje nga Krasta e Madhe dhe e Vogël, në veri e veriperëndim nga kodrat e Ullishtave, në perëndim nga përroi i Zaranikës, ndërsa në jug kufizohet sërish me lumin Shkumbin. Nga perëndimi kalon përroi i Zaranikës dhe nga lindja ai i Manazderies. I rrethuar nga kodra dhe male, qyteti ofron pamje të bukura natyrore dhe është një destinacion ideal për të eksploruar historinë dhe kulturën shqiptare.
Historia e Elbasanit është e pasur dhe e hershme. Qyteti e ka origjinën që në periudhën romake, kur njihej si Scampis. Më vonë, në shekullin XV, me ndërtimin e kalasë nga Sulltan Mehmeti II, mori emrin Elbasan, që do të thotë “kala e fortë”. Kalaja e Elbasanit mbetet sot një simbol i rëndësishëm historik, duke ruajtur brenda saj banesa karakteristike, rrugë kalldrëmi dhe objekte kulti të periudhave të ndryshme.
Karakteristikat që e veçojnë Elbasanin janë mikpritja e banorëve dhe kuzhina tradicionale me shije unike si ballokumet e famshme, sidomos gjatë Ditës së Verës, një festë pagane me origjinë në këtë qytet që festohet çdo 14 mars. Elbasani njihet gjithashtu për tregjet e dikurshme, lagjet tradicionale dhe bulevardin me shëtitore të gjelbëruara.
Trashëgimia kulturore e Elbasanit është shumë e pasur. Qyteti është vendlindja e shumë figurave të rëndësishme të historisë, kulturës dhe arsimit shqiptar. Në të gjenden gjithashtu një numër i konsiderueshëm objektesh fetare si kisha, xhami dhe teqe, që dëshmojnë bashkëjetesën fetare ndër shekuj. Një vend të veçantë në trashëgiminë e Elbasanit zënë Teatri “Skampa”, Muzeu “Aleksandër Xhuvani”, Muzeu “Kostandin Kristoforidhi” dhe institucionet e shumta kulturore që mbajnë gjallë jetën artistike të qytetit.
Elbasani ka qenë dikur një nga qendrat më të mëdha të zejeve në Shqipëri, një qytet ku zhurma e tabakëve, mjeshtëria e argjendarëve, fijet e arta të kazazëve, eleganca e terzive dhe finesa e armëtarëve formonin një univers të tërë artizanati që sot mbijeton vetëm në histori. Në shekujt XVI-XVII qyteti numëronte qindra punishte, rrugë të emërtuara sipas zanateve dhe esnafë që eksportonin produkte në gjithë Rumelinë (territori i dikurshëm Europian sipas mbretërisë Osmane), duke nisur nga lëkurat e ngjyrosura me famë, te filigrani i hollë, kostumet popullore të punuara me dorë, armët e dekoruara dhe çibukët e gdhendur me mjeshtëri. Toponimet e shumta si Sheshi i Tabakëve apo Fusha e Kazazëve ruajnë gjurmët e këtij qyteti, dikur të mbushur me plot jetë e mjeshtëri artizanësh. Sot, këto mjeshtëri të rralla tërheqin gjithnjë e më shumë turistë kureshtarë që kërkojnë të zbulojnë shpirtin e vërtetë të Elbasanit përmes historive, teknikave dhe trashëgimisë së tyre të jashtëzakonshme.





























