Përgjegjës i Sektorit të Sistemit të Informacionit dhe Hartimit të Kalendarit të Eventeve
Drejtorisë së Promovimit të Turizmit
Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT), në zbatim të:
Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar; Ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”; Ligjit nr. 90, datë 27.09.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”; VKM nr. 20, datë 18.01.2023 “Për një ndryshim në Vendimin nr. 298, datë 20.04.2016, për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit; Urdhrit të Kryeministrit nr. 205, datë 05.11.2025 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit” (hyrje me tonën nr. 498/1 prot, datë 07.11.2025);Vendimit nr. 11, datë 15.01.2026 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 191, datë 09.03.2016, të Këshillit të Ministrave, për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për sistemin e shërbimeve të punësimit”; Rregullores së Brendshme “Për organizimin dhe funksionimin e AKT-së”, njofton hapjen e 1 (një) vendi vakant për pozicionin: Përgjegjës i Sektorit të Sistemit të Informacionit dhe Hartimit të Kalendarit të Eventeve Drejtorisë së Promovimit të Turizmit Kategoria e pagës: III-2.
I. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI
A. Kushtet e Përgjithshme
Kandidatët duhet të plotësojnë të gjitha kushtet e mëposhtme:
a. Të ketë shtetësinë shqiptare;
b. Të gëzojë zotësi të plotë për të vepruar;
c. Të gëzojë integritet moral dhe profesional;
d. Të jetë i aftë për punë;
e. Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kundërvajtjeje penale me dashje;
f. Të mos i jetë hequr e drejta e ushtrimit të detyrës në administratën publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
g. Të mos jetë larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike dhe të mos ketë masë disiplinore të rëndë në fuqi sipas Kodit të Punës;
h. Të mos ketë konflikt interesi me detyrën ose funksionin që do të kryejë.
B. Kërkesat e Posaçme
Kandidatët duhet të plotësojnë gjithashtu kërkesat e mëposhtme të posaçme:
1. Të ketë përfunduar studimet e larta në shkencat ekonomike/marketing;
2. Të ketë aftësi të shkëlqyera komunikimi në të shkruar dhe të folur në gjuhën shqipe;
3. Të jetë njohës i mirë i drejtëshkrimit të gjuhës shqipe dhe i gjuhës angleze;
4. Të ketë aftësi organizative dhe të realizojë punën me efiçencë, efektivitet dhe brenda afateve;
5. Të njohë dhe të zbatojë rregullat e etikës dhe sjelljes profesionale në administratën publike.
II. PËRSHKRIMI I DETYRAVE DHE PËRGJEGJËSIVE
Përgjegjës i Sektorit të Sistemit të Informacionit dhe Hartimit të Kalendarit të Eventeve Drejtorisë së Promovimit të Turizmit kryen detyrat dhe mban përgjegjësitë e mëposhtme:
1.Koordinimi dhe Hartimi i Kalendarit të Eventeve – Koordinon, mbledh dhe orienton kalendarin vjetor e periodik të eventeve turistike, artistike dhe kulturore të organizuara nga institucione shtetërore dhe private prodhuese eventesh, duke siguruar një pasqyrë të plotë, të saktë dhe të përditësuar të ofertës së eventeve kombëtare.
2. Mbledhja e të Dhënave dhe Analiza Statistikore – Mbledh, përpunon dhe analizon të dhënat statistikore të gjeneruara nga aplikacioni TEA, duke i strukturuar sipas periudhave kohore, vendndodhjeve gjeografike, tipologjive të eventeve dhe demografisë së përdoruesve, me qëllim mbështetjen e proceseve vendimmarrëse dhe raportimit institucional.
3. Seleksioni i Eventeve për Rrjetet Sociale Zyrtare – Propozon dhe përzgjedh eventet më të përshtatshme për promovim në kanalet zyrtare të rrjeteve sociale të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, bazuar në kritere të rëndësisë turistike, impaktit kulturor dhe potencialit promovues.
4. Komunikimi me Institucione Prodhuese Eventesh – Ndërton dhe mirëmban komunikimin me pikat e kontaktit të institucioneve shtetërore dhe private që organizojnë evente, duke garantuar fluksin e vazhdueshëm të informacionit dhe përditësimin në kohë real të kalendarit të eventeve.
5. Pjesëmarrja në Projekte të Dixhitalizimit – Merr pjesë aktivisht në evente, takime dhe projekte që lidhen me dixhitalizimin e turizmit dhe shërbimeve të informacionit turistik, duke përfaqësuar sektorin dhe kontribuuar në zhvillimin e zgjidhjeve inovative dixhitale.
6. Monitorimi dhe Kontrolli i Aplikacionit TEA – Kryen kontrolle periodike të funksionaliteteve dhe opsioneve të aplikacionit TEA, verifikon mirëfunksionimin e moduleve, identifikon problematika teknike apo operacionale dhe raporton për nevojat e përmirësimit tek strukturat përkatëse.
7.Kryen çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga Drejtori i Përgjithshëm, brenda fushës së përgjegjësive të AKT-së.
III. DOKUMENTACIONI I KËRKUAR
Kandidatët e interesuar paraqesin kërkesën e aplikimit pranë Zyrës së Protokollit të AKT-së, brenda afatit të shpallur, të shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:
1. Jetëshkrim (CV) i plotësuar në gjuhën shqipe, sipas standardeve të legjislacionit shqiptar, dhe letër motivimi;
2. Kopje e noterizuar e diplomës. Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë, të bashkëlidhet njehsimi nga Ministria e Arsimit;
3. Listë notash e noterizuar;
4. Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
5. Fotokopje e letërnjoftimit (ID);
6. Vërtetim i gjendjes shëndetësore;
7. Vetëdeklarim i gjendjes gjyqësore / Dëshmi penaliteti;
8. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë ose vlerësimet pozitive të përmendura në jetëshkrim.
Mosparaqitja në kohë dhe e plotë e dokumentacionit sjell automatikisht skualifikimin e kandidatit.
IV. MËNYRA DHE AFATI I APLIKIMIT
Të gjithë kandidatët e interesuar janë të lutur të paraqesin aplikimin e tyre pranë Zyrës së Protokollit të AKT-së, deri më datë 24/04/2026, ora 10:00, me objekt:
“Aplikim për pozicionin e punës: Përgjegjës i Sektorit të Sistemit të Informacionit dhe Hartimit të Kalendarit të Eventeve pranë Drejtorisë së Promovimit të Turizmit në Agjencinë Kombëtare të Turizmit”
*Fillimisht ky pozicion ju ofrohet punonjësve të brendshëm. Në rast se nuk plotësohet prej tyre, AKT mund të pranojë kandidatura nga jashtë institucionit.
V. PROCESI I VLERËSIMIT DHE PËRZGJEDHJES
1. Pas mbylljes së afatit, Njësia e Burimeve Njerëzore verifikon dokumentacionin e dorëzuar.
2. Kandidatët që plotësojnë kriteret e kërkuara do të njoftohen nëpërmjet e-mailit për datën dhe orën e intervistës së strukturuar me gojë.
3. Përzgjedhja e kandidatit fitues do të bëhet nëpërmjet konkurimit me dosje dhe me intervistë të drejtpërdrejtë.
4. Në përfundim të procesit të vlerësimit, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë individualisht çdo kandidat në mënyrë elektronike dhe do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të AKT-së (www.akt.gov.al).