11/11/2026

NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE

Specialist në Sektorin e Financës dhe Shërbimeve të Brendshme  pranë Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë Kombëtare të Turizmit (AKT),

 Në zbatim të: Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar; Ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”; Ligjit nr. 90, datë 27.09.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”; VKM nr. 20, datë 18.01.2023 “Për një ndryshim në Vendimin nr. 298, datë 20.04.2016, për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit; Urdhrit të Kryeministrit nr. 205, datë 05.11.2025 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit” (hyrje me tonën nr. 498/1 prot, datë 07.11.2025); Vendimit nr. 11, datë 15.01.2026 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 191, datë 09.03.2016, të Këshillit të Ministrave, për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për sistemin e shërbimeve të punësimit”; Rregullores së Brendshme “Për organizimin dhe funksionimin e AKT-së”, njofton hapjen e 1 (një) vendi vakant për pozicionin: Specialist në Sektorin e Financës dhe Shërbimeve të Brendshme pranë Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë Kombëtare të Turizmit (AKT), Kategoria e pagës: IV-2.

I.  KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI

A.  Kushtet e Përgjithshme

Kandidatët duhet të plotësojnë të gjitha kushtet e mëposhtme:

a.   Të ketë shtetësinë shqiptare;

b.   Të gëzojë zotësi të plotë për të vepruar;

c.   Të gëzojë integritet moral dhe profesional;

d.   Të jetë i aftë për punë;

e.   Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kundërvajtjeje penale me dashje;

f.    Të mos i jetë hequr e drejta e ushtrimit të detyrës në administratën publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;

g.   Të mos jetë larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike dhe të mos ketë masë disiplinore të rëndë në fuqi sipas Kodit të Punës;

h.   Të mos ketë konflikt interesi me detyrën ose funksionin që do të kryejë.

B.  Kërkesat e Posaçme

Kandidatët duhet të plotësojnë gjithashtu kërkesat e mëposhtme të posaçme:

1.   Të ketë përfunduar studimet e larta në shkenca shoqërore;

2.   Të ketë aftësi të shkëlqyera komunikimi në të shkruar dhe të folur në gjuhën shqipe;

3.   Të jetë njohës i mirë i drejtëshkrimit të gjuhës shqipe;

4.   Të ketë aftësi organizative dhe të realizojë punën me efiçencë, efektivitet dhe brenda afateve;

5.   Të njohë dhe të zbatojë rregullat e etikës dhe sjelljes profesionale në administratën publike.

II.  PËRSHKRIMI I DETYRAVE DHE PËRGJEGJËSIVE

Specialisti/ja në Sektorin e Financës dhe Shërbimeve të Brendshme pranë Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë Kombëtare të Turizmit (AKT), kryen detyrat dhe mban përgjegjësitë e mëposhtme:

Detyrat dhe përgjegjësitë e Specialistit të Financës dhe Shërbimeve të Brendshme  

  • Përgatit dhe administron dokumentacionin financiar dhe kontabël të institucionit.
  • Regjistron dhe kontrollon faturat, pagesat dhe dokumentet shoqëruese financiare.
  • Harton pasqyra dhe raporte financiare periodike sipas kërkesave të institucionit.
  • Përgatit urdhër-pagesat dhe dokumentacionin për ekzekutimin e pagesave në sistemin e thesarit.
  • Kryen rakordime financiare dhe bankare periodike.
  • Administron evidencat kontabël dhe arkivon dokumentacionin financiar sipas rregullave në fuqi.
  • Bashkëpunon me sektorët e tjerë për ndjekjen e procedurave financiare dhe buxhetore.
  • Ndjek zbatimin financiar të kontratave dhe aktiviteteve të institucionit.
  • Merr pjesë në përgatitjen e projektbuxhetit vjetor dhe monitorimin e tij.
  • Siguron zbatimin korrekt të legjislacionit financiar dhe procedurave të kontrollit të brendshëm.
  • Raporton tek eprori direkt mbi problematikat dhe ecurinë e proceseve financiare.
  • Përgjegjëse mbi ecurinë dhe përgatitjen e dokumentave të magazines.
  • Përgjegjëse mbi ecurinë dhe përgatitjen e ditarit të arkës.
  • Kryen detyra të tjera funksionale të ngarkuara nga eprori, në përputhje me pozicionin e punës.

III.  DOKUMENTACIONI I KËRKUAR

Kandidatët e interesuar paraqesin kërkesën e aplikimit pranë Zyrës së Protokollit të AKT-së, brenda afatit të shpallur, të shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:

1.   Jetëshkrim (CV) i plotësuar në gjuhën shqipe, sipas standardeve të legjislacionit shqiptar, dhe letër motivimi;

2.   Kopje e noterizuar e diplomës. Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë, të bashkëlidhet njehsimi nga Ministria e Arsimit;

3.   Listë notash e noterizuar;

4.   Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);

5.   Fotokopje e letërnjoftimit (ID);

6.   Vërtetim i gjendjes shëndetësore;

7.   Vetëdeklarim i gjendjes gjyqësore / Dëshmi penaliteti;

8.   Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë ose vlerësimet pozitive të përmendura në jetëshkrim.

 Mosparaqitja në kohë dhe e plotë e dokumentacionit sjell automatikisht skualifikimin e kandidatit.

IV.  MËNYRA DHE AFATI I APLIKIMIT

Të gjithë kandidatët e interesuar janë të lutur të paraqesin aplikimin e tyre pranë Zyrës së Protokollit të AKT-së, deri më datë 18/11/2026, ora 10:00, me objekt:

“Aplikim për pozicionin e punës: Specialisti/ja në Sektorin e Financës dhe Shërbimeve të Brendshme pranë Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë Kombëtare të Turizmit (AKT) Kategoria e pagës: IV-2.

V.  PROCESI I VLERËSIMIT DHE PËRZGJEDHJES

1.   Pas mbylljes së afatit, Njësia e Burimeve Njerëzore verifikon dokumentacionin e dorëzuar.

2.   Kandidatët që plotësojnë kriteret e kërkuara do të njoftohen nëpërmjet e-mailit për datën dhe orën e intervistës së strukturuar me gojë.

3.   Përzgjedhja e kandidatit fitues do të bëhet nëpërmjet konkurimit me dosje dhe me intervistë të drejtpërdrejtë.

4.   Në përfundim të procesit të vlerësimit, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë individualisht çdo kandidat në mënyrë elektronike dhe do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të AKT-së (www.akt.gov.al).

Facebook
LinkedIn
Email
X