Qyteti i gurtë në pritje të jehonës së Folkut Shqiptar

Gjirokastra magjepsëse, me rrugicat e pjerrëta dhe të çuditshme deri në magji, ku çdo ndërtesë e ka të shkruar në gur historinë e vet do të jetë në qendër të kronikës së Shqipërisë turistike këtë fundjavë, teksa rikthehet pas tetë vjetësh Festivali Folklorik Kombëtar.

Nga 24 qershori deri në 1 korrik, do të ngjiten në Kalanë e Argjirosë në Gjirokastër, grupet dhe ansamblet folklorike nga të gjitha viset e Shqipërisë, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, grupe muzikore folklorike nga arbëreshët e Italisë, Greqia, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe SHBA. të cilët do të prezantojnë vlerat e traditës, folklorit dhe etnografisë shqiptare.

Plot 1200 artistë do të ngjiten në skenën e kalasë dhe 90 të ftuar special do të jenë pjesë e festës së Gjirokastrës.  Ngjyrat, tingujt e këngëve dhe valleve folklorike do të oshëtijnë në qytetin e gurtë për të shkruar një tjetër kronikë historike moderne, të Festës së Folkut mbarëshqiptar, ku pjesë e kremtimeve do të bëhen edhe turistët që prej ditësh kanë mbushur monumentet tona të trashëgimisë.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968. Prej asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet. Vitet `70 konsiderohen si periudha e artë e pjesëmarrjes në këtë festival. Festivali i Gjirokastrës është konceptuar si një garë folklorike.

Prej 24 Qershorit deri më 01 Korrik ju mikpresim në Gjirokastër!

Share