Kalaja e Himarës në pritje të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës

Në një rrugëtim nëpër Rivierën Shqiptare, Aplikacioni TEA na drejton këtë të enjte për në Himarën e bukur plot me turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët bashkë me kaltërsinë mbresëlënëse të detit Jon do të shiojnë edhe tingujt magjepsës të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës – #Himara International Music Festival, i cili do të çelë siparin e edicionit të dytë të tij, më 3 – 10 gusht në kalanë shekullore të Himarës.

Në një festë të vërtetë, tetë koncerte me muzikantë të jashtëzakonshëm të skenave ndërkombëtare, nga Shqipëria, Gjermania, Franca, Kosova, Rumania, Rusia, Greqia, Mali i Zi dhe Kanadaja do të gjallërojnë me muzikën më elitare dhe do të ndriçojnë si asnjëherë më parë një nga monumentet më të vyera të bregdetit jonian,

Festivali i Himarës do t’i kushtojë një performancë audio-vizuale natyrës, ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale në Tokë me veprën “Lament of the Earth” (Vajtimi i Tokës), 3 gusht, ndërkohë që edhe tetë vokalistët profesionistë të “ReMusica” do të luajnë muzikë fine korale, me një repertor të përzgjedhur nga korifeu muzikës shqiptare Rafet Rudi.

Performanca të jashtëzakonshme në kalanë shekullore do të sjellë Projekti “Suonus Albanicus“, i cili i jep zë këngës tradicionale qytetare popullore dhe muzikës së kultivuar bashkëkohore. Vargjet muzikore të kompozitorëve Gjon Simoni, Çesk Zadeja, Vasil Sofokli Tole do të kumbojnë më 4 gusht nëpërmjet përpunimeve për vokal dhe kuartet harqesh, me zërin e sopranos së Teatrit të Operas dhe Baletit, Dorina Selimaj si dhe formacionit të harqeve i përbërë nga Abigeila Voshtina, Sara Hoxhallari, Herida Duro dhe Mario Guralumi.

Dy pianistet shqiptare Rea Veizi dhe Iliriana Gjoni, me karrierë të pasur në disa vende të Europës do të sjellin më 7 gusht një program me veprat e kompozitorëve të mëdhenj Brahms, Debussy, Fauré, Mozart dhe Dvorak.

Koncertin e datës 8 gusht, ky festival ia kushton tingujve magjikë të pianos, ku nën një rezonancë poetike do të vijnë disa nga veprat më të frymëzuara të kompozitorëve Schubert dhe Chopin, nën interpretimin e pianistit nga Franca, Sebastian Ene.

Kuarteti Eliott dhe pianisti Endri Nini, muzikantë të skenave më të rëndësishme të muzikës së dhomës në Europë, do të prezantojnë në 9 gusht koncertin “The World and I” me vepra ekzistenciale të kompozitorëve Mozart dhe Shostakovich, të cilët i ngritën himn në kryeveprat e tyre lirisë, gëzimit, trishtimit, dhe ngritjes krye ndaj diktaturës.

Festivali i Himarës #Himara International Music Festival do të mbyllet më 10 gusht me tingujt fantastike të luajtur nga muzikanti 24-vjeçar Théo Ould, i vlerësuar si zbulim solistik i muzikës klasike në Francë.

Muzikë magjepsëse dhe surpriza të panumërta do të përjetoni në Festivalin e bukur të Himarës, i cili do t’ua bëjë pushimet në bregdetin e bukur shqiptar të paharrueshme.

 

Share