Bjeshkët e Kelmendit, në fshatin Lëpushë të Malësisë së Madhe do të jenë në qendër të jehonës së Festivalit “Logu i Bjeshkëve”, i cili promovon prej shumë vitesh traditat e bukura të malësorëve.
Shtojzavallet e stolisura me xhubletën e paçmuar, simbol i malësisë do të vallëzojnë në amfiteatrin natyror në Qafën e Predelecit, të dielën e 13 gushtit nga ora 10:00-13:00.
Ky manifestim i madh kulturor sjell në vëmendje traditat e këngëve dhe valleve të Malësisë së Madhe të luajtura me lahutë e çifteli ndër shekuj nga rapsodë e valltarë popullorë.
Logu i Bjeshkëve është një aktivitet i Kalendarit Kombëtar të Eventeve të Turizmit Kulturor, Traditës dhe Aplikacionit TEA.
Një nga bukuritë e kësaj feste është xhubleta, Mbretëresha e veshjeve popullore të Shqipërisë, e cila nën mbrojtjen e UNESCO-s evokon traditën e pasur dhe unike etnografike të popullit shqiptar.
Gjatë eventit që mbledh vit pas viti turistë e vizitorë nga anë e anës, atmosfera e festës do të vijojë me një program të gjerë që përfshin parakalimin në natyrë të vajzave më të bukura të krahinës të veshura me xhubletë, valle e këngë folklorike e tradicionale.
Historia e Logut të Bjeshkëve është e hershme. Lidhet me traditën e dikurshme të Malësisë së Madhe, kur djemtë shprehnin simpatinë e tyre për një nga vajzat e fshatit, duke e vlerësuar atë nga hiret e saj. E veshur me xhubletën e hijshme të Malësisë, ajo shihej në rrugë për tek kroi i fshatit apo ceremoni e festa, si dhe të dielave në Kishë.