Shqipëria, si një vend i vogël, ofron mundësinë për një eksplorim 11-ditor që shtrihet nga rajoni verior në atë jugor, dhe nga lindja në perëndim, duke zbuluar pasuritë e saj të shumta historike, artistike, kulturore dhe natyrore.
Shqipëria, si një vend i vogël, ofron mundësinë për një eksplorim 11-ditor që shtrihet nga rajoni verior në atë jugor, dhe nga lindja në perëndim, duke zbuluar pasuritë e saj të shumta historike, artistike, kulturore dhe natyrore.
Mbërritja në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (Rinas), rreth 30 minuta larg nga qendra e kryeqytetit. Programi i ditës nis me një tur panoramik dhe kulturor të Tiranës, duke përfshirë një vizitë të shoqëruar në Muzeun Historik Kombëtar, institucioni kryesor muzeor i vendit, i cili prezanton në mënyrë kronologjike periudhat më të rëndësishme të historisë shqiptare, nga antikiteti deri në kohët moderne. Vizita vijon në Sheshin Skënderbej, zemra e qytetit dhe pika kryesore orientuese për vizitorët, si dhe në monumente përreth tij, përfshirë Xhaminë e Et’hem Beut dhe Kullën e Sahatit.
Turit i shtohen Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me godinat institucionale të ndërtuara gjatë periudhës së Mbretërisë së Zogut në stil arkitekturor italian, Bunk’Art 2 si dëshmi e historisë së Luftës së Ftohtë, Kalaja e Tiranës dhe Pazari i Ri, që reflektojnë transformimin urban të qytetit. Vizita përfshin gjithashtu Mozaikun e Tiranës dhe zonën e ish-Bllokut, sot një nga zonat më dinamike të jetës urbane. Tirana ofron një kombinim të trashëgimisë kulturore, hapësirave publike, restoranteve dhe jetës së natës. Darkë dhe akomodim në Tiranë.
Nisja drejt Shkodrës, një nga qendrat më të rëndësishme historike dhe kulturore të Shqipërisë, e njohur për traditën e saj të bashkëjetesës fetare dhe kulturore. Programi përfshin vizitë në pedonalen e qytetit, Arkivin Fotografik Marubi, që ruan një pasuri unike të historisë vizuale shqiptare, Katedralen Katolike dhe Muzeun e Kujtesës, i dedikuar periudhës së diktaturës. Vizita në Kalanë e Rozafës ofron një panoramë të gjerë mbi qytetin, liqenin dhe lumenjtë përreth, ndërsa lagjet historike Gjuhadol dhe Serreq pasqyrojnë arkitekturën tradicionale qytetare. Programi përfshin gjithashtu Liqenin e Shkodrës, liqeni më i madh në Ballkan.
Pasdite, ndalesë në Krujë, qytet me rëndësi të veçantë historike dhe simbolike, si vendlindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Vizita në Kalanë e Krujës përfshin Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeun Etnografik dhe Pazarin e Vjetër, një zonë karakteristike me dyqane artizanale dhe produkte tradicionale. Kthim dhe akomodim në Tiranë.
Udhëtimi drejt juglindjes së Shqipërisë nis me një ndalesë në Elbasan, qytet me histori të lashtë, i njohur për kalanë e tij dhe trashëgiminë urbane. Vizita në Kalanë e Elbasanit përfshin lagjet e brendshme, kishën ortodokse dhe shtëpitë karakteristike që ruajnë elemente të arkitekturës tradicionale.
Rruga vijon drejt Pogradecit dhe Liqenit të Ohrit, një nga liqenet më të vjetër dhe më të pasur në biodiversitet në Evropë, i ndarë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Zona ofron peizazhe të qeta natyrore dhe lidhet ngushtë me trashëgiminë kulturore të shkrimtarit Lasgush Poradeci. Mbërritje në Korçë, një nga qytetet më të rëndësishme kulturore të vendit. Vizita përfshin qendrën e qytetit, Katedralen Ortodokse, Pazarin e Vjetër, Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar dhe Galerinë Digjitale të Artit. Darkë dhe akomodim në Korçë.
Pas mëngjesit, udhëtimi vazhdon drejt Voskopojës, një qendër e rëndësishme kulturore dhe arsimore e Ballkanit gjatë shekujve XVII–XVIII. Vizita përfshin kishat monument kulture, të njohura për afresket dhe ikonografinë bizantine, si dhe ambientin karakteristik historik të zonës.
Më pas, udhëtimi vijon drejt fshatit malor të Dardhës, i vendosur nën malin e Moravës, i njohur për arkitekturën tradicionale prej guri, klimën alpine dhe ruajtjen e zakoneve lokale. Zona ofron një ambient të qetë dhe natyror, të përshtatshëm për turizëm rural dhe kulturor. Darkë dhe akomodim në bujtina tradicionale.
Nisja drejt Beratit, një nga qytetet më të ruajtura historikisht në Shqipëri dhe pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Programi përfshin vizitë në lagjet historike Mangalem dhe Gorica, të njohura për arkitekturën karakteristike me shtëpi të ndërtuara në shpatet përballë njëra-tjetrës, si dhe urën historike mbi lumin Osum. Vizita në Kalanë e Beratit përfshin Muzeun Onufri, i vendosur në Katedralen e Shën Marisë, me koleksion të pasur ikonash dhe afreskesh bizantine. Programi vijon me Muzeun Etnografik, që pasqyron mënyrën tradicionale të jetesës. Darkë dhe akomodim në Berat.
Udhëtimi vazhdon drejt Parkut Arkeologjik të Apolonisë, një nga qendrat më të rëndësishme antike iliro-romake në territorin e Shqipërisë. Vizita përfshin teatrin antik, odeonin dhe monumente të tjera që dëshmojnë rëndësinë kulturore dhe arsimore të qytetit në antikitet.
Më pas, udhëtimi vijon drejt Vlorës, qytet me rëndësi historike dhe gjeografike, i njohur si vendi ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Programi përfshin Sheshin e Pavarësisë, Xhaminë e Muradies, bulevardin kryesor, Manastirin e Zvërnecit në ishull dhe Lagunën e Nartës. Akomodim në Vlorë.
Dita i kushtohet eksplorimit të Parkut Kombëtar Detar Karaburun–Sazan, një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit detar në Shqipëri. Udhëtimi me varkë ofron mundësi për të vizituar gjire të izoluara, shpella detare dhe plazhe të paprekura. Nëse kushtet detare dhe logjistike e lejojnë, programi përfshin ndalesë në Ishullin e Sazanit, ish-zonë strategjike ushtarake me rëndësi historike. Kthim në Vlorë, darkë dhe akomodim.
Udhëtimi panoramik përgjatë Rivierës Shqiptare nis nga Qafa e Llogarasë, duke kaluar përmes Parkut Kombëtar të Llogarasë dhe duke ofruar pamje panoramike mbi Detin Jon. Programi përfshin ndalesa në fshatra karakteristike bregdetare si Dhërmi dhe Vuno, si dhe vizitë në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo. Vijon udhëtimi drejt Sarandës, një nga destinacionet kryesore turistike të jugut të Shqipërisë. Akomodim dhe shëtitje në qendër.
Vizitë në Ksamil, destinacion i njohur për plazhet e tij, ishujt e vegjël dhe ujërat e kristalta. Pasdite, vizitë në Parkun Kombëtar të Butrintit, një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme të Mesdheut, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku ndërthuren periudha ilire, greke, romake, bizantine dhe veneciane. Kthim dhe akomodim në Sarandë.
Nisja drejt Syrit të Kaltër, monument natyror i mbrojtur, i njohur për burimin karstik dhe ngjyrën karakteristike blu. Pas vizitës, udhëtimi vijon drejt Gjirokastrës, qytet-muze i mbrojtur nga UNESCO. Programi përfshin qendrën historike, Pazarin Karakteristik, Kalanë e Gjirokastrës dhe shtëpitë muze që pasqyrojnë arkitekturën karakteristike të qytetit. Darkë dhe akomodim në zonën historike.
Nisja drejt Manastirit të Ardenicës, monument kulture i shekullit XVI, i vendosur mbi një kodër përgjatë aksit Lushnjë–Fier. Pas vizitës në kompleksin monastik, udhëtimi vijon drejt Durrësit, qytet me histori mbi 2 500-vjeçare. Vizita përfshin Amfiteatrin Romak, një nga më të mëdhenjtë në Ballkan, Kullën Veneciane dhe Muzeun Arkeologjik. Durrësi përfaqëson një nga destinacionet kryesore bregdetare të vendit, me plazhe ranore dhe infrastrukturë turistike të zhvilluar. Transferim drejt Portit të Durrësit ose Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës për përfundimin e turit