Pallati Mbretëror i Durrësit, i njohur si Vila Mbretërore e Durrësit apo thjesht Vila e Mbretit Zog I, është një nga godinat më të spikatura historike të shekullit XX në Shqipëri dhe simbol i periudhës së monarkisë shqiptare gjatë viteve 1920–1930.
Pallati ndodhet mbi Kodër Vilë, një kodër që ngrihet rreth 98 m mbi nivelin e detit në periferi të qytetit të Durrësit dhe ofron pamje panoramike të Gjirit të Durrësit dhe bregdetit Adriatik. Struktura është projektuar dhe ndërtuar për të shërbyer si rezidencë verore e Mbretit Zog I dhe familjes mbretërore, duke kombinuar funksionalitetin me një vendndodhje strategjike mbi qytet dhe det.
Ndërtimi i pallatit nisi në vitin 1927, me iniciativë të Mbretit Zog I dhe mbështetje financiare që përfshinte edhe fonde të siguruara për zhvillim ekonomik dhe infrastrukturë. Godina u përfundua në vitin 1937, vetëm pak muaj para martesës së Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë, duke u bërë një nga projektet më prestigjioze arkitekturore të monarkisë shqiptare.
Struktura është ndërtuar në stil rationalist italian me elemente të brendshme neoklasike, duke përfshirë dysheme prej mermeri, ornamentika simbolike dhe motivet shqiptare të shqiponjës, që i japin asaj një identitet unik dhe madhështor në kontekstin urban dhe kulturor të kohës.
Gjatë periudhës mbretërore, pallati shërbeu si rezidencë verore dhe vend takimi për Ngjarje zyrtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa u përdor si objekt pritjeje dhe rezidencë zyrtare për mysafirë të lartë, përfshirë figura të njohura botërore të politikës, ndër ta udhëheqës si Nikita Hrushovi apo Presidenti amerikan Jimmy Carter gjatë vizitave zyrtare.
Gjatë trazirave civile të vitit 1997, ndërtesa u dhunua dhe plaçkit, dhe pjesë e brendshme e saj pësoi dëmtime të konsiderueshme, duke humbur shumë prej elementeve origjinale të dekorit dhe paisjeve.
Si pasojë e mospërfshirjes së saj në listën zyrtare të monumenteve të kulturës dhe mungesës së statusit mbrojtës, pallati ka qëndruar për një kohë të gjatë i mbyllur dhe jo i aksesueshëm për publikun. Megjithatë, një iniativë private e vitit 2025 synon restaurimin e tij të plotë në gjendjen origjinale të viteve 1930, duke rikthyer pjesë të dekorit dhe funksionit historik të godinës, në përputhje me paraqitjen e vitit 1939.
Pallati Mbretëror i Durrësit mbetet një simbol i epokës mbretërore shqiptare, i cili përmbledh identitetin, aspiratat dhe stilin e jetës së klasës drejtues në periudhën para Luftës së Dytë Botërore. Vendndodhja e tij, madhështia arkitektonike dhe portreti historik e bëjnë atë një pasuri të vyer të trashëgimisë kulturore të Durrësit, me potencial të madh për t’u përfshirë në itineraret historike dhe turistike të vendit.