Ferma Graçi operon si zonë agroturistike që prej vitit 2016, kur filloi të ofrojë akomodim përmes “Camping Gjirokastër”. Ndërkohë, zanafilla e fermës daton në vitin 2001, me kultivimin e rrushit dhe pemëve frutore, të cilat ndodhen brenda territorit të saj. Që prej atij viti, në fermë prodhohet verë e kuqe dhe raki, përmes përpunimit tradicional të rrushit, proces i cili me kalimin e viteve është përmirësuar me detaje autentike të familjes Graçi.
Këtu, ushqimi dhe pijet shërbehen në restorantin “Nga Shtepia”, ku si lëndë e parë përdoren produkte të cilësisë më të mirë nga zona e Lunxhërisë, por jo vetëm. Ferma ofron 15 vende akomodimi për kampistë, karvanë dhe tenda, si dhe të gjitha facilitetet e nevojshme për të qëndruar dhe për të shijuar ushqimin e fermës, panoramën e mrekullueshme dhe për të vizituar atraksionet turistike të qytetit të vjetër dhe të gjithë Luginës së Drinos.
Ferma Graçi ka një pozicion gjeografik shumë të favorshëm, jo vetëm për bukurinë natyrore që e rrethon, por edhe për afërsinë me atraksionet turistike të Gjirokastrës. Ajo ndodhet vetëm 4 km larg qytetit të vjetër, 5 km larg Liqenit të Viroit dhe rreth 30 minuta larg qytetit antik të Antigonesë dhe Majës së Çajupit. Gjirokastra ofron gjithashtu shumë atraksione të tjera për ecje malore, turizëm kulturor dhe kisha të vjetra autentike, të cilat mund të vizitohen gjatë ditëve të qëndrimit në “Camping Gjirokastër”, i cili ndodhet brenda fermës.