Mes ullinjve dhe qetësisë mesdhetare
E vendosur në një kodër të mbuluar nga ullinjtë, vetëm pak kilometra larg Durrësit, Ullishtja Agroturizëm është një destinacion ideal për ata që kërkojnë pushime të qeta, ushqim të shëndetshëm dhe një panoramë relaksuese mes natyrës. Ky agroturizëm merr emrin nga plantacioni i ullinjve që e rrethon dhe që është pjesë e identitetit të tij.
Çdo detaj në Ullishtja është menduar për të ofruar një eksperiencë autentike agroturistike: nga arredimi rustik me elementë druri dhe guri, tek kuzhina tradicionale që përdor vaj ulliri të prodhuar në vend. Vizitorët mund të shijojnë pjata si fërgesë, mish furre, byrek të sapo pjekur, të shoqëruara me verë lokale apo raki artizanale.
Ambienti është perfekt për një drekë familjare, një fundjavë romantike apo një organizim të vogël mes miqsh. Nuk mungojnë shëtitjet në natyrë, mundësia për të parë nga afër procesin e përpunimit të vajit të ullirit, dhe sigurisht – mikpritja që të bën të ndihesh si në shtëpi.