Ferma Albanik është një aktivitet agroturistik dhe ekoturistik, i cili ndodhet në Luginën e Dëshnicës, në Këlcyrë, në qarkun e Gjirokastrës, dhe operon prej më shumë se 3 vitesh.
Ferma zbaton parimet e kulturës së fermës në kopshtari, si dhe mbron dhe pasuron biodiversitetin. Në fermë funksionon një bar-restorant, i cili aplikon kryesisht kuzhinën tradicionale të zonës dhe specialitete franceze, ndërsa produktet bazë janë 100% të fermës ose të familjeve fermere përreth, me të cilat bashkëpunon ngushtë.
Me tre dhoma familjare, me kapacitet nga 4 deri në 6 shtretër secila, Ferma “Grand Albanik” ofron mundësi akomodimi për rreth 15 persona. Brenda fermës ndodhet gjithashtu një kënd ekspozimi (“bio-butik”), ku mund të blihen produkte tradicionale kulinare.
Aktivitetet që mund të zhvillohen përfshijnë: ecje në natyrë (hiking), yoga, çiklizëm, kalërim, kamping dhe piknikë në natyrë, plazhe në lumenjtë dhe liqenet përreth, peshkim, kanioning, kurse gatimi, njohje me botën e bimëve të egra, kopshtari, etj.
Ferma “Grand Albanik”, në bashkëpunim me Qendrën ISO, organizon gjithashtu edhe festivalin “KAZAN FEST”. Prodhues vendas dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria, por edhe më gjerë, mblidhen në fundjavën e parë të tetorit për të festuar, shijuar dhe tregtuar produkte lokale, nën tingujt e muzikës tradicionale dhe moderne shqiptare.