Ditët 3–4: Shkodër – Vermosh – Razëm – Bogë – Lugina e Valbonës
Udhëtimi vijon drejt Vermoshit, zona më veriore e Shqipërisë dhe pjesë e krahinës së Kelmendit. Vermoshi ndodhet rreth 95 km nga Shkodra dhe shtrihet në një fushë alpine në lartësinë 1 100 m mbi nivelin e detit. Gjatë rrugës kalohet Qafa e Rrapshit, nga ku dallohen ujërat e kristalta të lumit Cem. Vermoshi ofron mundësi për aktivitete në natyrë, si ecje malore, alpinizëm, ski dhe turizëm natyror.
Itinerari vazhdon drejt Razmës, një fshat turistik malor i vendosur 41 km nga Shkodra, në shpatet e malit Veleçik. Zona dallohet për pyjet me pisha dhe ah, florën alpine dhe aksesin gjatë gjithë vitit, përfshirë edhe sezonin dimëror. Akomodimi ofrohet në hotele dhe struktura turistike lokale, me aktivitete si ekskursione, alpinizëm dhe ski.
Ndalese tjetër është Bogë, një zonë alpine e përshkruar edhe nga udhëtarja Edith Durham. Fshati Bogë ofron kushte për alpinizëm, sporte dimërore dhe eksplorime natyrore.
Udhëtimi përfundon në Luginën e Valbonës, një nga zonat natyrore më të bukura të Shqipërisë, e shpallur Park Kombëtar, me sipërfaqe rreth 8 000 ha. Lugina shtrihet në lindje të Alpeve Shqiptare dhe përfshin fshatra alpine si Dragobi, Valbonë dhe Rrogam. Vizitorët mund të akomodohen në bujtina ose hotele lokale, duke shijuar gatime tradicionale si flija, mazja dhe pitet karakteristike.
Parku Kombëtar i Valbonës ofron mundësi për ecje, trekking, ski, alpinizëm, peshkim sportiv dhe hipizëm. Në pjesën veriore ndodhet Lugina e Lumit Gashi, zonë e mbrojtur nga UNESCO, e njohur për liqenet akullnajore të Dobërdolit dhe Sylbicës, të aksesueshme gjatë sezonit veror.