Promovim i destinacionit dhe zgjerim i bashkëpunimit ndërkombëtar
Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit përfaqësuan Shqipërinë në panairin ndërkombëtar të turizmit World Travel Market nga data 3 – 5 nëntor 2026, në Londër. WTM është një prej platformave më të rëndësishme të industrisë globale të turizmit, me fokus promovimin e potencialit turistik të vendeve.
Përgjatë ditëve të panairit, pjesëmarrja e Shqipërisë në stendën Albania All Senses u shoqërua me takime institucionale, prezantime të ofertës turistike dhe kontakte me operatorë turistikë ndërkombëtarë, agjenci udhëtimi, investitorë dhe përfaqësues të industrisë së turizmit. Këto angazhime synuan krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim, zgjerimin e partneriteteve dhe forcimin e pozicionimit të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.
Në kuadër të panairit, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Jola Hysaj, zhvilloi një takim me z. Gajendra Singh Shekhawat, Ministër i Kulturës dhe Turizmit i Qeverisë së Indisë. Diskutimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit turistik ndërmjet dy vendeve, shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës, si dhe identifikimin e mundësive konkrete për promovimin e ndërsjellë të destinacioneve turistike.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua promovimit të turizmit të natyrës dhe aventurës përmes prezantimit “Albania Outdoors”, ku u prezantuan mundësitë që ofron Shqipëria për aktivitete si hiking, trekking, çiklizëm, rafting dhe përvoja të tjera në natyrë. Ky prezantim evidentoi potencialin e vendit për zhvillimin e turizmit aktiv dhe diversifikimin e ofertës turistike, duke kontribuar në promovimin e Shqipërisë si destinacion për t’u vizituar gjatë gjithë vitit.
Në kuadër të panairit ndërkombëtar të turizmit World Travel Market (WTM) London 2026, Shqipëria u përfaqësua edhe nga bashkitë Mirditë, Vlorë, Selenicë, Roskovec, Lezhë, Belsh, Durrës, Vorë dhe Kavajë, të cilat prezantuan potencialet turistike, pasuritë natyrore e kulturore dhe ofertën e larmishme të destinacioneve të tyre, duke kontribuar në promovimin e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.
Në funksion të promovimit të ofertës turistike dhe rritjes së aksesit në informacion për vizitorët, Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi gjithashtu aplikacionin TEA – Tourism Events of Albania. Ky instrument digjital synon të ofrojë informacion mbi aktivitetet dhe eventet që zhvillohen në të gjithë Shqipërinë, duke u mundësuar vizitorëve të njihen me kalendarin e ngjarjeve kulturore, artistike, tradicionale dhe turistike. Prezantimi i aplikacionit solli në vëmendje rëndësinë e teknologjisë në promovimin e destinacionit, informimin e vizitorëve dhe pasurimin e përvojës turistike.
Panairi ofroi një hapësirë të veçantë për promovimin e mjeshtërisë së artizanatit shqiptar, përmes platformës Tradita.al, si dhe për prezantimin e vlerave të muzikës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare nga Grupi i Ansamblit “Ura”.
Gjatë ditës së dytë të panairit, përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Turizmit zhvilluan takime edhe në stendat e destinacioneve partnere, me qëllim shkëmbimin e përvojave, identifikimin e fushave me interes të përbashkët dhe shqyrtimin e mundësive për bashkëpunime të mëtejshme në sektorin e turizmit.
Në ditën e fundit, vizitorët dhe profesionistët e industrisë u ftuan të njiheshin me ofertën turistike të Shqipërisë përmes konceptit “Albania All Senses”, i cili përcjell një qasje gjithëpërfshirëse të promovimit të vendit, duke ndërthurur natyrën, kulturën, trashëgiminë, gastronominë, traditat dhe mikpritjen shqiptare.
Pjesëmarrja në World Travel Market London 2026 përbën një mundësi të rëndësishme për rritjen e prezencës së Shqipërisë në industrinë ndërkombëtare të turizmit, forcimin e marrëdhënieve me partnerët ekzistues dhe krijimin e kontakteve të reja me tregjet potenciale. Përmes këtyre angazhimeve, Agjencia Kombëtare e Turizmit vijon promovimin e Shqipërisë si një destinacion konkurrues, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, me një ofertë turistike të diversifikuar dhe përvoja autentike për vizitorët ndërkombëtarë.





