Drejtor i Drejtorisë së Promovimit të Turizmit
Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT), në zbatim të:
Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar; Ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”; Ligjit nr. 90, datë 27.09.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”; VKM nr. 20, datë 18.01.2023 “Për një ndryshim në Vendimin nr. 298, datë 20.04.2016, për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit; Urdhrit të Kryeministrit nr. 205, datë 05.11.2025 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit” (hyrje me tonën nr. 498/1 prot, datë 07.11.2025); Vendimit nr. 11, datë 15.01.2026 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 191, datë 09.03.2016, të Këshillit të Ministrave, për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për sistemin e shërbimeve të punësimit”; Rregullores së Brendshme “Për organizimin dhe funksionimin e AKT-së”, njofton hapjen e 1 (një) vendi vakant për pozicionin: Drejtor pranë Drejtorisë së Promovimit të Turizmit Kategoria e pagës: II-1
I. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI
A. Kushtet e Përgjithshme
Kandidatët duhet të plotësojnë të gjitha kushtet e mëposhtme:
- Të ketë shtetësinë shqiptare;
- Të gëzojë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të gëzojë integritet moral dhe profesional;
- Të jetë i aftë për punë;
- Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kundërvajtjeje penale me dashje;
- Të mos i jetë hequr e drejta e ushtrimit të detyrës në administratën publike me vendim gjyqësor të formës së prerë;
- Të mos jetë larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike dhe të mos ketë masë disiplinore të rëndë në fuqi sipas Kodit të Punës;
- Të mos ketë konflikt interesi me detyrën ose funksionin që do të kryejë.
B. Kërkesat e Posaçme
Kandidatët duhet të plotësojnë gjithashtu kërkesat e mëposhtme të posaçme:
- Të ketë përfunduar studimet e larta në shkencat ekonomike;
- Të ketë aftësi të shkëlqyera komunikimi në të shkruar dhe të folur në gjuhën shqipe;
- Të jetë njohës i mirë i drejtëshkrimit të gjuhës shqipe dhe i gjuhës angleze (niveli B2 ose më lart);
- Të ketë aftësi organizative dhe të realizojë punën me efiçencë, efektivitet dhe brenda afateve;
- Të njohë dhe të zbatojë rregullat e etikës dhe sjelljes profesionale në administratën publike.
II. PËRSHKRIMI I DETYRAVE DHE PËRGJEGJËSIVE
Drejtor i Drejtorisë së Promovimit të Turizmit kryen detyrat dhe mban përgjegjësitë e mëposhtme:
- Zbaton strategjinë kombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe planin e veprimit, me qëllim ngritjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit turistik të vendit;
- Harton, zhvillon dhe zbaton planin vjetor të marketingut, të cilin ia paraqet Drejtorit të Përgjithshëm për miratim, në funksion të promovimit të turizmit shqiptar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;
- Propozon dhe organizon pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare dhe kombëtare, “Fam Trip” dhe “Press Trip”, workshop-e dhe konferenca, si dhe forma të tjera promovimi të destinacioneve turistike shqiptare;
- Realizon aktivitetet promocionale sipas rregullores së institucionit dhe propozon materiale me karakter promocional, informues dhe statistikor në përputhje me nevojat dhe tendencat e tregut turistik;
- Mbikëqyr dhe siguron mbulimin në kohë të hapësirave promovuese në mediat elektronike dhe të shkruara; mbikëqyr prodhimin e spoteve dhe reklamave të reja promocionale;
- Drejton dhe zbaton strategjinë e marketingut dixhital me qëllim rritjen e numrit të turistëve nëpërmjet promovimit të destinacioneve dhe produkteve turistike;
- Bashkëpunon me zyrat rajonale të turizmit, pushtetin vendor, operatorët turistikë, përfaqësite diplomatike shqiptare jashtë vendit dhe organizata vendase e të huaja, me qëllim promovimin e turizmit dhe tërheqjen e vizitorëve;
- Menaxhon dhe përditëson aktivitetin e promovimit online nëpërmjet portalit zyrtar, rrjeteve sociale dhe kanaleve dixhitale;
- Kryen çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga Drejtori i Përgjithshëm, brenda fushës së përgjegjësive të AKT-së.
III. DOKUMENTACIONI I KËRKUAR
Kandidatët e interesuar paraqesin kërkesën e aplikimit pranë Zyrës së Protokollit të AKT-së, brenda afatit të shpallur, të shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:
- Jetëshkrim (CV) i plotësuar në gjuhën shqipe, sipas standardeve të legjislacionit shqiptar, dhe letër motivimi;
- Kopje e noterizuar e diplomës. Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë, të bashkëlidhet njëhsimi nga Ministria e Arsimit;
- Listë notash e noterizuar;
- Fotokopje e librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
- Fotokopje e letërnjoftimit (ID);
- Vërtetim i gjendjes shëndetësore;
- Vetëdeklarim i gjendjes gjyqësore / Dëshmi penaliteti;
- Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë ose vlerësimet pozitive të përmendura në jetëshkrim.
Mosparaqitja në kohë dhe e plotë e dokumentacionit sjell automatikisht skualifikimin e kandidatit.
IV. MËNYRA DHE AFATI I APLIKIMIT
Të gjithë kandidatët e interesuar janë të lutur të paraqesin aplikimin e tyre pranë Zyrës së Protokollit të AKT-së, deri më datë 07/04/2026, ora 10:00, me objekt:
“Aplikim për pozicionin e punës: Drejtor i Drejtorisë së Promovimit të Turizmit”
*Fillimisht ky pozicion ju ofrohet punonjësve të brendshëm. Në rast se nuk plotësohet prej tyre, AKT mund të pranojë kandidatura nga jashtë institucionit.
V. PROCESI I VLERËSIMIT DHE PËRZGJEDHJES
- Pas mbylljes së afatit, Njësia e Burimeve Njerëzore verifikon dokumentacionin e dorëzuar.
- Kandidatët që plotësojnë kriteret e kërkuara do të njoftohen nëpërmjet e-mailit për datën dhe orën e intervistës së strukturuar me gojë.
- Përzgjedhja e kandidatit fitues do të bëhet nëpërmjet konkurimit me dosje dhe me intervistë të drejtpërdrejtë.
- Në përfundim të procesit të vlerësimit, Njësia e Burimeve Njerëzore do të njoftojë individualisht çdo kandidat në mënyrë elektronike dhe do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të AKT-së (www.akt.gov.al).