Tur 3 ditor në Dropull

Udhëtim në Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore
Shqipëria e Jugut | Bashkia Dropull
Itinerar 3-ditor | Turizëm kulturor, fetar, natyror & rural

Dropulli është një krahinë me histori të lashtë, kulturë të pasur dhe tradita të ruajtura brez pas brezi. I shtrirë në një luginë të gjelbër mes maleve, Dropulli ofron një përvojë autentike për turistët që kërkojnë trashëgimi kulturore, qetësi në natyrë dhe mikpritje tradicionale.

Rreth Aktivitetit

  • Numri Ditëve
    3

Itinerari

Dita 01

Si të arrini në Dropull

Turistët që mbërrijnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit (TIA) mund të udhëtojnë drejt Derviçanit, në zonën e Dropullit, duke përshkuar rreth 240 km, me një kohë udhëtimi prej 4–5 orësh, në varësi të mjetit të transportit.

    • Mënyra më e rekomanduar: Udhëtimi me makinë me qira ose transfer privat, i disponueshëm direkt në aeroport. Itinerari Rinas–Tiranë–Fier–Tepelenë–Gjirokastër–Derviçan zhvillohet përgjatë rrugëve kryesore kombëtare dhe ofron komoditet dhe fleksibilitet, veçanërisht për familje dhe grupe.

    • Alternativa më ekonomike: Transporti publik, i cili përfshin autobusin e aeroportit drejt Tiranës, më pas autobusin ndërqytetas Tiranë–Gjirokastër (Terminali i Autobusëve të Jugut) dhe në fund furgonë ose taksi lokale nga Gjirokastra drejt Derviçanit.

    • Rekomandim: Transferta e organizuar ose taksia e rezervuar paraprakisht përmes agjencive turistike apo hoteleve ofron një udhëtim të drejtpërdrejtë dhe të rehatshëm, veçanërisht për turistët ndërkombëtarë dhe grupet e vogla. Është i këshillueshëm rezervimi paraprak i transportit, sidomos gjatë sezonit turistik.

Çfarë do të vizitoni?

Derviçan – Shëtitje në fshatin tradicional

Derviçani dhe Kisha e Shën Mërisë

Derviçani, fshati më i madh i Bashkisë Dropull, ngrihet në shpatin e malit dhe njihet për kishat e Shën Anës dhe Shën Mërisë. Fshati është gjithashtu i njohur për festat tradicionale dhe kremtimet lokale me muzikë, valle dhe aktivitete kulturore, duke krijuar një përvojë autentike për çdo vizitor.

Kisha e Shën Mërisë në Derviçan është një nga ndërtesat e rralla të mbetura nga vendbanimi i vjetër. Ajo ka plan kryqi me kupolë triapsidale dhe përfaqëson një shembull të bukur të arkitekturës pasbizantine në zonën e Dropullit.

Manastiri i Shën Qirjakut dhe Julitës – Dhuvjan

Me një histori të pasur dhe arkitekturë të jashtëzakonshme, Manastiri i Shën Qirjakut dhe Julitës në Dhuvjan është një vend besimi, por edhe një thesar i rrallë i trashëgimisë mesjetare. I vendosur në një mjedis të qetë natyror, ky vend i shenjtë përbën një ndalesë mbresëlënëse për dashamirësit e historisë, studiuesit dhe të apasionuarit pas arkitekturës.

I shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, objekti gëzon një rëndësi të veçantë për autenticitetin dhe identitetin e tij historik. Manastiri, i ndërtuar në vitin 1588, përfaqëson një mrekulli të arkitekturës mesjetare dhe dëshmon mjeshtërinë e ndërtuesve të kohës.

Kisha e Shën Kollit – Dhuvjan

Kisha e Shën Kollit është një nga kishat më të rëndësishme të Bashkisë së Dropullit, e ndërtuar gjatë periudhës së hershme të Mesjetës (rreth shekujve XI–XII). Ajo shquhet për arkitekturën tipike bizantine, me mure guri dhe elemente dekorative të punuara me mjeshtëri.

Brenda saj ruhen afreske të vjetra dhe ikona që pasqyrojnë traditat fetare dhe artin e komunitetit lokal. Kisha i ka mbijetuar shekujve dhe sot, përveç besimtarëve, tërheq edhe vizitorë të shumtë për vlerat e saj historike dhe estetike.

Dita 02

Adrianopol – Trashëgimi kulturore në Sofratikë

Teatri Antik i Adrianopolit ndodhet në fshatin Sofratikë të Bashkisë së Dropullit (Dropull i Poshtëm) dhe është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I.

Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar elemente të rëndësishme që dëshmojnë se Adrianopoli ka qenë një qendër e zhvilluar administrative dhe kulturore gjatë periudhës së Perandorisë Romake. Mendohet se teatri është ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Hadrian (117–138 pas Krishtit).

Ky teatër përbën shembullin e vetëm në Ballkan të një ndërtese teatrore të ngritur në fushë të hapur dhe jo në shpat kodre, siç ishte e zakonshme në antikitet. Ai ka një diametër prej rreth 50 metrash dhe një kapacitet prej afërsisht 4 000 spektatorësh.

Kisha “Fjetja e Hyjlindëses” – Peshkëpi e Sipërme

Rreth 15 minuta larg fshatit Peshkëpi e Sipërme ndodhet Kisha e lashtë e “Fjetjes së Hyjlindëses”, një nga monumentet më të rëndësishme bizantine të jugut të Shqipërisë. E ndërtuar në shekullin X dhe e lidhur me perandorin bizantin Aleks Komneni (1081–1118), kisha ka shërbyer si seli e peshkopatës së Drianopojës.

Ujëvara e Selckës

Ujëvara e Selckës është një thesar natyror i jashtëzakonshëm në zonën e Pogonit, në Bashkinë Dropull. Me një lartësi prej rreth 40 metrash, ajo ofron një pamje spektakolare dhe rrethohet nga një ekosistem i pasur me florë dhe faunë të larmishme. Ky destinacion është ideal për dashamirësit e natyrës, veçanërisht gjatë pranverës dhe verës.

Dita 03

Kisha e Shën Mërisë – Zervat

E rrethuar nga natyra e bukur e malit Drianos, pranë fshatit Zervat, Kisha e Shën Mërisë është një ndalesë e veçantë për vizitorët që kërkojnë qetësi, histori dhe kulturë. E shpallur Monument Kulture, kjo kishë mbart vlera të rëndësishme arkitekturore dhe shpirtërore. Panorama, atmosfera paqësore dhe trashëgimia shekullore e bëjnë këtë vend një destinacion të preferuar turistik.

Liqeni i Pepelit

Liqeni i Pepelit ndodhet në zemër të fushës së Dropullit. Kjo pasuri natyrore është e rrethuar nga fusha të gjelbëruara dhe peizazhe karakteristike të jugut të Shqipërisë. Liqeni ofron një ambient ideal për pushim, shëtitje dhe relaks në natyrë. Ajri i pastër dhe qetësia e bëjnë atë një destinacion të përshtatshëm për familje dhe dashamirës të natyrës.

Koshovica

Mes kodrave të gjelbëruara të jugut, fshehur një thesar i vogël, Koshovicë. Ky fshat i bukur tërheq vizitorët me qetësinë, traditën e pasur dhe natyrën e paprekur. Shijoje mikpritjen e ngrohtë të banorëve dhe zbulo historinë që fshihet në çdo cep të fshatit. Një udhëtim në Koshovicë është një përvojë që mbetet në zemër.

Sotira

Fshati Sotirë përfaqëson një destinacion të qetë dhe autentik, ideal për turistët që kërkojnë eksperienca ekologjike dhe trashëgimi të pasur kulturore dhe historike. Lehtësisht i aksesueshëm, ky fshat zotëron pasuri të rralla natyrore, i rrethuar nga pyje ahu, bredhi dhe gështenje, livadhe të gjera dhe burime ujore të kristalta. Monumenti natyror “Bredhi i Sotirës”, si dhe rrapet shekullorë të zonës, përbëjnë pika të rëndësishme ndalese për vizitorët. Zona është e përshtatshme për aktivitete në natyrë gjatë gjithë vitit, si ecje në shtigje natyrore, çiklizëm, kamping, kalërim, vëzhgim të shpendëve dhe faunës së egër, si dhe mbledhje të bimëve mjekësore. Relievi i larmishëm u ofron aventurierëve mundësi për trekking malor dhe eksplorim të grykave natyrore.

Përveç pasurive natyrore, Sotira ka edhe vlera të rëndësishme kulturore dhe historike. Në afërsi ndodhen monumente të kategorisë së parë, si rrënojat e Kalasë së Selos, Kisha e Shën Thanasit dhe Kisha e Manastirit të Koshovicës. Fshati ruan arkitekturë tradicionale me rrugica me kalldrëm, oborre të rrethuara me mure guri dhe ndërtesa me vlerë historike, duke i dhënë një identitet të veçantë kulturor. Sotira është një destinacion me potencial të madh për turizëm të qëndrueshëm, ekoturizëm dhe turizëm kulturor. Qetësia, natyra e pasur, trashëgimia kulturore dhe mikpritja vendase e bëjnë fshatin Sotirë një zgjedhje ideale për turistët vendas dhe të huaj që dëshirojnë të përjetojnë Shqipërinë autentike dhe të zbulojnë një destinacion ende të pazbuluar.

Eksperienca kulturore dhe lokale

Ju sugjerojmë të përjetoni:

    • Këngë dhe valle tradicionale

    • Festa lokale

    • Gatime shtëpie dhe produkte bio

    • Artizanat lokal

Facebook
LinkedIn
Email
X