Qyteti i gurtë, siç njihet Gjirokastra përfshin qindra shtëpi – kullë të tipit otoman me çatitë e gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta, herë – herë të zbardhura me gëlqere. Me kalanë madhështore mbi një kodër të thepisur, Gjirokastra është qyteti magjik me një të shkuar të trazuar, që prej vitit 2005 shkroi edhe një histori të re si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Vlerat arkitekturore të ndërtimit të shtëpive me gurë, çative me dërrasë dhe kalldrëmeve nëpër sokaket plot mistere të Qafës së Pazarit janë shndërruar në vlera të paçmuara turistike e kulturore që prej shumë vitesh tërheqin interesin e turistëve anekënd botës.
Origjina e qytetit kala nis me Argjironë, kalanë e ndërtuar në shekullin IV pas Krishtit, struktura më e rëndësishme e qytetit, dhe më e madhja në Shqipëri. Qyteti u quajt Argyrokastro në vitin 1336 dhe arriti kulmin e lulëzimit gjatë viteve 1800-1830, kur u ndërtuan shtëpitë karakteristike monumentale të periudhës otomane.
Qyteti historik prezanton traditën otomane në ndërtim siç mund të shihet edhe sot e kësaj dite. Gjirokastra nuk u ndërtua në rrafshin lumor, siç ka ndodhur në qytete të tjera të Evropës Perëndimore. Qyteti u ngrit në mal, për të shpëtuar tokën bujqësore dhe përbërësit kryesorë dhe karakteristik të tij janë: kështjella, e cila shërbente si pallat i sundimtarit dhe si fortifikim ushtarak; pazari si zonë për zeje dhe tregti; objektet fetare (kisha, xhami dhe teqe); lagjet e banimit dhe shtëpitë e fortifikuara – shtëpi monumentale.
Gjirokastra nuk kishte sheshe urbane si vendtakime për popullsinë, as një bashki për përfaqësimin e qytetarëve të saj, pasi e vetmja ndërtesë që mishëronte rregullin dhe administrimin ishte kalaja dhe të vetmet hapësira shoqërore ishin komplekset fetare.
Qyteti u ndërtua nga pronarët e mëdhenj të tokave. Rreth kalasë së lashtë të shekullit të 13-të, qyteti ka shtëpi me frëngji, të cilat janë karakteristike për rajonin e Ballkanit. Gjirokastra përmban disa shembuj të shquar të shtëpive të këtij lloji, të cilat datojnë nga shekulli i 17-të, po edhe shembuj më të përpunuar që datojnë nga fillimi i shekullit të 19-të.
Gjirokastra mbart vlera dhe karakteristika unike në përdorimin e gurit në ndërtimin e shtëpive, të cilat duken si kala të vogla, sokaket me kalldrëm, të cilat të gjitha të çojnë në Pazar. Gjirokastra është dëshmi e jashtëzakonshme e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan dhe për mënyrën unike të jetesës që sot pothuajse është zhdukur.
Nga Gjirokastra e UNESCO-s kurrë mos u largoni pa shijuar pjatat unike pasha qofte, shapkat, apo veçanërisht oshafin me fiq të thatë, ëmbëlsira me qumësht deleje, që ia merr mendjen çdo turisti të apasionuar pas kuzhinës mesdhetare.