Qyteti antik i Butrintit, i cili ndodhet në Jug të Shqipërisë është oazi i historisë së pasur kulturore dhe biodiversitetit mesdhetar, një pasuri e paçmuar e Trashëgimisë Kulturore të mbrojtur nga UNESCO, ku ndërthuren mrekullisht monumentet e historisë së njerëzimit dhe mjedisi natyror.
Parku Kombëtar ngërthen një larmi bukurish dhe vlerash natyrore, pyje dhe makje mesdhetare, fusha të mbjella, taraca me pemë frutore, po ashtu edhe ujëra bregdetarë me brigje ranore dhe shkëmbore, toka të hapura, habitate që strehojnë një diversitet të madh kafshësh dhe bimësh me rëndësi kombëtare dhe globale, që e bëjnë Butrintin një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri.
Qyteti antik i Butrintit u shpall për herë të parë Monument Kulture në vitin 1948. Në vitin 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; më 2003 kompleksi ligatinor, përfshirë dhe pjesën e lagunës dhe zonën bregdetare të Butrintit – Kepin e Stillos – u shpallën Zonë Ramsar dhe Park Kombëtar (Kategoria II e IUNC-it për Kategorinë e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura). Në saje të rëndësisë së tij për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe arkeologjike, Butrinti u bë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe kjo zonë e mbrojtur përbën një sipërfaqe prej 2900 ha, ku përfshihen peizazhe me rëndësi kulturore, ngulime arkeologjike.
Në park përveç specieve të njohura mesdhetare strehohen 16 specie të rrezikuara të florës dhe 14 specie të rrezikuara të faunës. Liqeni i Butrintit, e rrethuar nga brigje të pyllëzuara, male, ujë dhe këneta të njelmëta dhe lidhet me ngushticën e Korfuzit nga Kanali i Vivarit.
Mbetjet arkeologjike janë pjesë e pyllit natyror me një ekosistem kompleks, i cili varet nga ujërat afër Liqenit të Butrintit dhe Kanalit të Vivarit që e derdhin liqenin në Detin Jon.
Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton mbi 2000 vjet histori nga tempujt helenikë të shek. 4 para Krishtit deri në kalatë osmane të fillimit të shek. 19.
Sipas studiuesve të mitologjisë klasike, Buthrotum u ndërtua nga mërgimtarët që ikën pasi ra Troja. Mitologjia rrëfen se me të arritur, djali i Priamit, Helenusi, sakrifikoi një dem, i cili përpëlitej i plagosur dhe ngordhi në breg. Vendi u quajt Buthrotum që do të thotë “dem i plagosur”. Ndërsa, më vonë poema epike e Virgjilit, Eneida, rrëfen për Eneun, që vizitoi Butrintin gjatë rrugës së tij për në Itali, kohë në të cilën vendi u fortifikua me një mur të madh me pesë porta.
Në kohën e sundimit të Jul Cezarit aty u ngrit një koloni dhe u vendosën veteranët romakë, ndërsa perandor Augusti dyfishoi sipërfaqen e qytetit ku u ndërtuan godina të reja si banjë romake, disa shtëpi, forumi dhe nimfeu.
Në shek. 3 pas Krishtit një pjesë të madhe e qytetit u shkatërrua nga një tërmet, i cili solli rënien e pandërprerë të Butrintit. Në fillim të shek. 6, Buthrotum-i u bë peshkopatë me ndërtime të reja përfshirë një baptister të madh (një nga ndërtesat paleokristiane më të mëdha të tipit të tij) dhe një bazilikë.
Butrinti u drejtua nga bizantinët dhe ishte një pikë strategjike e rrugëve detare Adriatike – Joniane, për të cilën luftuan venedikasit dhe osmanët, derisa Shqipëria shpalli Pavarësinë e saj më 1912.